MCA-PRESS | GJEDNJ, çështja PENTIKÄINEN kundër FINLANDËS, (liria e shprehjes)
515
post-template-default,single,single-post,postid-515,single-format-standard,ajax_fade,page_not_loaded,,qode-title-hidden,qode_grid_1300,hide_top_bar_on_mobile_header,qode-content-sidebar-responsive,qode-theme-ver-16.6,qode-theme-bridge,disabled_footer_bottom,wpb-js-composer js-comp-ver-5.5.1,vc_responsive,elementor-default,elementor-kit-2266

GJEDNJ, çështja PENTIKÄINEN kundër FINLANDËS, (liria e shprehjes)

DHOMA E MADHE
ÇËSHTJA PENTIKÄINEN KUNDËR FINLANDËS
(Kërkesa nr. 11882/10)
VENDIM
STRASBURG
20 Tetor 2015
Ky vendim është përfundimtar, por ai mund t’i nënshtrohet rishikimit redaktues.Në çështjen Pentikäinen kundër Finlandës,
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, e mbledhur në Dhomë të Madhe të përbërë nga:
Dean Spielmann,Kryetar,
Guido Raimondi,
Mark Villiger,
Boštjan M. Zupančič,
Khanlar Hajiyev,
Päivi Hirvelä,
Kristina Pardalos,
Angelika Nußberger,
Linos-Alexandre Sicilianos,
André Potocki,
Paul Lemmens,
Aleš Pejchal,
Johannes Silvis,
Dmitry Dedov,
Egidijus Kūris,
Robert Spano,
Iulia Antoanella Motoc,Gjyqtarë,
dhe Lawrence Early, Jurist,
Pas shqyrtimit me dyer të mbyllura më 17 dhjetor 2014 dhe më 3 shtator 2015, Jep vendimin e mëposhtëm, i cili u miratua në datën e fundit të lartpërmendur:
PROCEDURA
1. Çështja e ka zanafillën në kërkimin (nr. 11882/10) kundër Republikës së Finlandës, depozituar në Gjykatë sipas nenit 34 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore (“Konventa”) nga një shtetas finlandez, Z. Markus Veikko Pentikäinen (“kërkuesi”), më 19 shkurt 2010.
2. Kërkuesi u përfaqësua nga z. Jussi Salokangas, avokat në Helsinki. Qeveria finlandeze (“Qeveria”) u përfaqësua nga Agjenti i saj z. Arto Kosonen, i Ministrisë së Punëve të Jashtme.
3. Kërkuesi pretendoi se ka pasur një cenim në të drejtën e tij për lirinë e shprehjes, e cila garantohet nga neni 10 i Konventës, për shkak se policia i kishte kërkuar të largohej nga vendi i demonstratës, dhe gjatë ndalimit prej 17.5 orësh nuk kishte qenë në gjendje të transmetonte informacion, si dhe për shkak të faktit se ishte dyshuar, akuzuar dhe dënuar për një krim, i cili kishte një “efekt frikësues” mbi të drejtat dhe punën e tij.
4. Kërkimi iu caktua Seksionit të katërt të Gjykatës (Rregulli 52 § 1 i Rregullores së Gjykatës). Më 4 shkurt 2014, Dhoma e përbërë nga Ineta Ziemele, Kryetar, Paivi Hirvelä, George Nicolaou, Ledi Bianku, Vincent A. De Gaetano, Paul Mahoney, Faris Vehabovic, gjyqtarë, dhe gjithashtu Françoise Elens Passos, kancelar i seksionit, dha vendimin e saj. Ajo vendosi njëzëri të deklarojë kërkimin të pranueshëm dhe vendosi me pesë vota pro e dy kundër, se nuk ka pasur shkelje të nenit 10 të Konventës. Mendimi i përbashkët kundërshtues i George Nicolaou dhe Vincent A. De Gaetano iu bashkëlidh këtij vendimi. Më 30 prill 2014, ankuesi kërkoi që çështja t’i kalojë Dhomës së Madhe, në përputhje me nenin 43 të Konventës dhe Paneli i Dhomës së Madhe e pranoi këtë kërkesë më 2 qershor 2014.
5. Përbërja e Dhomës së Madhe u përcaktua në përputhje me dispozitat e nenit 26 §§ 4 dhe 5 të Konventës dhe rregullit 24 të Rregullores së Gjykatës. Mark Villiger, në parashtrimet përfundimtare vazhdoi të shqyrtojë çështjen edhe pse mandati i tij kishte përfunduar, ndërsa Isabelle Berro u zëvendësua nga gjyqtari zëvendësues Paul Lemmens (Neni 23 § 3 tëKonventës dhe rregulli 24 § 4). Gjyqtarët Josep Casadevall dhe Elisabeth Steiner nuk ishin në gjendje të merrnin pjesë në parashtrimet përfundimtare të çështjes dhe u zëvendësuan nga gjyqtarët zëvendësues Khanlar HAJIYEV dhe Angelika Nußberger.
6. Kërkuesi dhe Qeveria paraqitën vërejtje të mëtejshme me shkrim (rregulli 59 § 1).
7. Më 15 Dhjetor të vitit 2014, Dhoma e Madhe vëzhgoi materialet DVD të dhëna nga palët.
8. Më 17 dhjetor 2014, u zhvillua një seancë publike në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Strasburg, (Rregulli 59 § 3).
U paraqitën para Gjykatës:
(a) Për Qeverinë
Znj. A.KOSONEN, Drejtore, Ministria e Punëve të Jashtme, Agjente,
Znj. S. HEIKINHEIMO,Drejtor i Policisë, Ministria e Punëve të Brendshme,
Znj. T. MAJURI, Këshilltar i Lartë, Ministria e Drejtësisë,
Znj. M. SPOLANDER, Zyrtar Ligjor, Ministria e Çështjeve të Jashtme,
Z. P. KOTIAHO, Zyrtar Ligjor, Ministria e Çështjeve të Jashtme, këshilltar;
(b) Për kërkuesin
Z. J. SALOKANGAS,
Z. V. MATILAINEN, Këshilltarë.
Kërkuesi, gjithashtu ishte prezent.
Gjykata dëgjoi kërkesat nga z. Kosonen, z. Salokangas dhe z. Matilainen, si dhe përgjigjet e
tyre dhe ato të znj. Majuri dhe z. Pentikäinen për pyetjet që i drejtuan Gjyqtarët Hirvelä,
Potocki, Silvis, Motoç Sicilianos, Spano, Kuris dhe Dedov.
FAKTET
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
9. Kërkuesi ka lindur në vitin 1980 dhe jeton në Helsinki.
10. Kërkuesi është fotograf dhe gazetar, i cili është i punësuar nga revista javore “Suomen Kuvalehti”. Më 9 shtator 2006, ai u dërgua nga punëdhënësi i tij për të bërë fotografi të demonstratës, e cila po mbahej në shenjë proteste kundër takimit Evropë-Azi (ASEM), që po zhvillohej në Helsinki. Demonstrata ishte një lajm i jashtëzakonshëm për shoqërinë finlandeze dhe të gjitha mediat që e ndoqën atë nga afër. Kërkuesi duhej të hartonte një raport të gjerë në lidhje me demonstratën për versionin e shkruar të revistës dhe gjithashtu ta publikonte atë në internet menjëherë pasi demonstrata të kishte përfunduar.
11. Rrëfimi i mëposhtëm i rrethanave të çështjes është i bazuar në parashtrimet e palëve, duke përfshirë materialin DVD që mbuloi ngjarjen e demonstratës ASEM (shih paragrafin 7 më sipër), si dhe vendimin e Gjykatës së Qarkut të Helsinkit (shih paragrafin 37 më poshtë).
A. Thyerja e demonstratës ASEM
12. Më 30 gusht 2006, para se të zhvillohej demonstrata, Inteligjenca Sekrete Finlandeze bëri një vlerësim të nivelit të rrezikut në demonstratën e ardhshme Smash ASEM dhe alarmoi Drejtorinë e Policisë së Helsinkit se demonstrata do të jetë armiqësore dhe nuk synonte të evidentonte ndonjë mesazh të qartë politik. Në atë kohë Departamenti i Policisë, pavarësisht nga të gjitha përpjekjet nuk arriti të vendoste kontakt me organizatorët e demonstratës. Policia, ndër të tjera ka bazuar veprimet e saj të mëvonshme në këto baza.
13. Një vlerësim i ngjashëm i rrezikut ishte bërë edhe në kuadër të dy demonstratave të mëparshme që kishin ndodhur në Helsinki gjatë të njëjtit vit, dy prej të cilave ishin kthyer në të dhunshme. I pari ishte demonstrimi Euro May, i 30 prillit 2006, ku një marshim prej rreth 1500 personash u shndërrua në një protestë me armë në të cilën u dëmtuan disa prona.
Rrjedhimisht, Gjykata e Rrethit të Helsinkit gjeti tetë persona fajtorë për trazira të dhunshme dhe rezistencë të dhunshme ndaj policisë, duke iu dhënë dënimin e burgimit me kusht. Një incident i ngjashëm ndodhi më 24 gusht 2006, gjatë natës së arteve në Helsinki, e cila gjithashtu rezultoi në shkatërrim pronash me dhunë dhe çoi në paraburgimin e 56 personave.
14. Më 8 shtator 2006, i ashtuquajturi Koalicioni Dongzhou njoftoi policinë për demonstratën Smash ASEM. Sipas raportit të zëvendësit Parlamentar (shih paragrafin 34 më poshtë), policia nuk kishte ndonjë informacion në lidhje me Koalicionin Dongzhou dhe as se kush ishin drejtuesit e vërtetë të tij. Nga burime publike evidentohet se i ashtuquajturi “koalicion” ishte një grup joformal, i hapur për të gjithë ata që ishin dakord me idenë e mbrojtjes nga demonstrimi Smash ASEM dhe që vendosën të mos sillnin asnjë simbol të partive politike në vendin e demonstratës.
15. Demonstruesit njoftuan se ata po planifikonin të marshonin në 9 shtator 2006 midis orës 17:45 dhe 21:00 nga Muzeu i Artit Bashkëkohor Kiasma, një zonë me trafik të dendur, në Qendrën e Ekspozitës dhe Konventës të Helsinkit, ku Samiti ASEM do të mbahej në një distancë 4.9 kilometra. Rruga e caktuar për marshimin ishte si më poshtë: MannerheimintieKaivokatu-Siltasaarenkatu-Agricolankatu- Kaarlenkatu -Helsinginkatu-Läntinen Brahenkatu Sturenkatu-AleksisKivenkatu-Ratapihantie-Asemapäällikönkatu-RatamestarinkatuRautatieläistenkatu, për të përfunduar në parkun tjetër Velodrome, i cili ishte afër me vendin e Samitit. Qëllimi i demonstratës ishte kundërshtimi i Samitit Asem, me fokus në çështjet e të drejtave të njeriut. Në postera ftoheshin njerëz të tjerë të merrnin pjesë në demonstratë, ndërsa demonstruesve ju kërkua që të vishnin rroba të zeza. Posterat portretizuan një demonstrues duke hedhur një koktej molotovi dhe ndër të tjera inkurajuan pjesëmarrësit e ardhshëm të “sillnin edhe pak çrregullim në rrugët e Helsinkit” (“tuodaedeshiemansekasortoamyös Helsingi nkaduille”, attfåävenenliten bit av kaos ocksåpågatorna i Helsingfors).
16. Sipas Qeverisë, policia arriti të vendosë kontakt telefonik me një nga organizatorët, i cilësuar si person kontakti për ngjarjen. Megjithatë, ai person, që vepronte në emër të organizatorëve, nuk pranoi të diskutonte çështjet, që ndër të tjera kishin të bënin me kushtet në të cilat demonstruesit do të marshonin nga vendi i ngjarjes në afërsi të qendrës së ekspozitës ku po mbahej Samiti ASEM. Ky refuzim u shtri më tej edhe në përpjekjet e policisë për të vendosur kontakt me organizatorët në vendin e ngjarjes.
17. Sipas Qeverisë, ka pasur një zonë të veçantë, të rezervuar nga policia për përfaqësues të medias, që ata të mbulonin ngjarjen. Ajo ishte e vendosur në sheshin Paasikivi, përballë Muzeut Kiasma të Artit Bashkëkohor, në anën tjetër të Mannerheimintie. Policia, si procedurë standarde, kishte njoftuar organizatat e mëdha mediatike finlandeze për ngjarjen Smash ASEM dhe përfshiu dhënien e informacionit nga kontakti i njësisë së policisë për marrëdhëniet me publikun, e cila ishte e gatshme të diskutonte çdo pyetje që media mund të kishte në lidhje me mbulimin e ngjarjes, duke përfshirë informacionin në lidhje me një zonë të rezervuar në interes të mediave. Për më tepër, njësia e Policisë së Qarkut të Helsinkit për marrëdhënie me publikun kishte caktuar një oficer policie për të qenë i pranishëm në atë zonë, për t’iu përgjigjur çdo pyetje që përfaqësues të medias mund të kishin, si dhe për të dhënë intervista për ngjarjet që kishin ndodhur gjatë ditës.
18. Demonstrata do të fillonte në orën 6 pasdite, më 9 shtator 2006. Rreth 500 spektatorë, një grup bazë prej rreth 50 demonstruesish dhe rreth 50 gazetarë u mblodhën në pikën e nisjes së marshimit. Policia kishte bërë përgatitjet e sigurisë për ngjarjen me vendosjen e 480 policëve dhe rojeve kufitare. Sipas standardeve finlandeze, shkalla e përgatitjeve së policisë ishte e jashtëzakonshme.
19. Në fillim të demonstratës, shishe, gurë dhe kavanoza të mbushur me bojë u hodhën në drejtim të publikut dhe policisë. Disa demonstrues filluan të godisnin oficerët e policisë. Rreth orës 18:05, policët rrethuan zonën e demonstratës. Në këtë pikë njerëzit u lejuan të kalonin ndërmjet linjës së policëve. Policia njoftoi disa herë nëpërmjet altoparlantëve që një demonstrim paqësor do të lejohej të zhvillohej në atë vend, por që turma nuk do të lejohej të demonstronte në formë marshimi.
20. Pas përshkallëzimit të dhunës, policia në orën 18:30 vendosi se ngjarja ishte shndërruar në një protestë. Nga ora 18:30 deri në 19:17 policia mbylli zonën, në një përpjekje për të përmbajtur trazirat. Turma u përpoq të thyejë vijën e mbrojtjes së policisë. Megjithatë, gjatë kësaj kohe, kordoni i policisë lejoi familjet me fëmijë, si dhe përfaqësues të mediave, të kalonin përmes tyre. Ky kalim cenohej herë-herë nga shishe dhe sende të tjera që hidheshin në vendin ku njerëzit po largoheshin.
21. Policia njoftoi nëpërmjet altoparlantëve se demonstrimi ishte ndaluar dhe se turma duhet të largohej nga vendi i ngjarjes. Ky njoftim u përsërit disa herë. Qindra njerëz u larguan vullnetarisht nëpërmjet disa rrugëve dalëse të përcaktuara nga policia. Kur po largoheshin, atyre iu kërkuan kartat e tyre të identitetit dhe u kontrolluan sendet e tyre personale.
22. Kërkuesi pretendoi se linja e policëve që rrethonte kordonin ishte tepër e ngushtë dhe me disa shtresa. Shikueshmëria nga jashtë kordonit për në brendësi ishte pothuajse zero. Furgonët e policisë dhe autobusët e paraburgimit pengonin më tej shikimin. Në 19:15 të darkës policia filloi të ngrinte një kordon të dytë, më të gjerë dhe të rrethonte të gjithë
zonën në qendër të qytetit në mënyrë të menjëhershme. Nuk ishte e mundur të shihej nga rrugët e afërta drejt zonës Kiasma.
23. Disa demonstrues u kapën me forcë në zonën e rrethuar. Këto kufizime janë kryer nga policia duke përdorur metodën “zinxhir”, e cila përfshin hapjen e kordonit të policisë për të lejuar të veprojnë zyrtarët e paraburgimit, e ndjekur nga mbyllja e menjëhershme e kordonit, pasi personi i ndaluar është kapur.
24. Policia njoftoi në mënyrë të përsëritur se turma duhej të shpërndahej. Kërkuesi pohoi se ai e dëgjoi urdhrin e policisë se zona duhej të pastrohej për herë të parë në 20:30. Kërkuesi telefonoi punëdhënësin e tij dhe ata biseduan së bashku nëse kërkuesi duhej të largohej nga zona. Kërkuesi vuri në dukje se në bazë të kësaj bisede, ai arriti në përfundimin se ishte e nevojshme prania e tij në brendësi të kordonit.
25. Në fund të demonstratës, kërkuesi deklaroi se ai ishte vendosur në mes të policisë dhe demonstruesve. Policia vazhdoi të urdhërojë turmën të shpërndahej, duke deklaruar se çdo person i cili nuk largohej do të arrestohej. Rreth orës 21:00 një oficer policie, personalisht i tha kërkuesit se ai kishte një shans të fundit për t’u larguar nga vendi i ngjarjes. Kërkuesi i tha policit se ai ishte raportuesi i Suomen Kuvalehti dhe se do të ndiqte ngjarjen deri në fundtë saj, dhe më pas punonjësi i policisë e la atë vetëm. Kërkuesi mendoi se pasi u kishte dhënë këtë shpjegim, policia nuk do të ndërhynte më në punën e tij.
26. Rreth orës 21:00, rreth 500 njerëz ishin larguar nga vendi i ngjarjes nga pikat e kontrollit të policisë. Sipas kërkuesit, rreth 20 demonstrues ishin ende të ulur në tokë, në mes të zonës së parë dhe ende të rrethuar nga policia. Demonstruesit ishin afër me njëri-tjetrin dhe po mbaheshin nga krahët. Situata brenda kordonit kishte qenë tashmë e qetë prej thuajse një orë. Pas kësaj, policia theu turmën e demonstruesve dhe kapi protestuesit.
27. Kërkuesi pretendoi se, para se ai të arrestohej dëgjoi një britmë të oficerit të policisë: “Kapni fotografin!” Kërkuesi, kur u arrestua po qëndronte pranë një ish-pjesëtari të parlamentit dhe po bënte fotografi. Ai, gjatë arrestimit i tha oficeri se ishte gazetar, fakt që polici e konfirmoi më vonë. Oficeri, gjatë hetimeve paraprake deklaroi se kërkuesi nuk ka bërë rezistencë gjatë arrestimit dhe se ai kishte kërkuar të bënte një telefonatë, e cila iu lejua të bëhej. Kërkuesi telefonoi kolegun e tij në revistë, duke i shpjeguar se policia e kishte ndaluar dhe se ai nuk e dinte se çfarë do të ndodhte më pas. Ai mendonte se do të dilte së shpejti. Kërkuesi i kishte thënë zyrtarit të policisë se ai kishte kamera në çantën e tij, informacion i cili ishte marrë parasysh nga ana e oficerit të policisë: kërkuesi u lejua të vendoste pajisjen kamera në çantën e tij. Kur oficeri i policisë i kërkoi atij një mjet identifikimi, kërkuesi kishte paraqitur kartën e tij të gazetarit. Një polic i pranishëm gjatë arrestimit të kërkuesit ka deklaruar gjatë hetimeve paraprake se kërkuesi nuk ka rezistuar gjatë arrestimit, por se ai nuk e kishte dëgjuar kërkuesin ta identifikonte veten si gazetar.
Oficeri që e arrestoi dëshmoi gjithashtu se ai e kishte plotësuar mandatin e arrestit, duke dhënë arsyet për kapjen e kërkuesit dhe regjistrimin e informacionit të tij personal. Sipas raportit të hetimit paraprak, baza për kapjen e kërkuesit ishte mosbindja ndaj policisë.
28. Kërkuesi, më pas u dërgua në një autobus për të paraburgosurit. Në autobus, ai i ka shpjeguar policit se ishte fotograf i një reviste. Kërkuesi u dërgua në stacionin e policisë, ku kërkoi të fliste me shefin e policisë. Atje ka shpjeguar edhe një herë se ishte gazetar, por kërkesat e tij nuk janë marrë parasysh. Ai pohoi se “ngriti” kartën e tij të gazetarit dhe më pas e vuri në mënyrë të dukshme në gjoksin e tij. Kërkuesi pretendoi se punonjësi i policisë i cili e mori në pyetje, në stacionin e policisë i kishte hequr kartën e gazetarit, të cilën e kishte varur në qafë. Sipas kërkuesit, polici që e mori në pyetje në stacionin e policisë ka qenë, pra, në dijeni të faktit se ai ishte gazetar. Ndërsa, teksa ndodhej në qelinë e paraburgimit, kërkuesi u tregoi oficerëve të policisë se ata kishin kapur një gazetar, por ai u injorua.
29. Kërkuesi pretendoi se kamera dhe kartat e memories së tij u konfiskuan. Megjithatë, Qeveria pohoi se, sapo policia zbuloi se kërkuesi ishte anëtar i shtypit, kamera e tij, kartat e memories dhe pajisje të tjera menjëherë u trajtuan si burime gazetareske dhe nuk u konfiskuan. Ai arriti të tërhiqte fotografitë dhe në asnjë fazë nuk iu vendos asnjë kufizim nga autoritetet për përdorimin e fotografive. Sipas raportit të Zëvendës Ombudsmanit Parlamentar (shih paragrafin 34 më poshtë), policia kishte kontrolluar përmbajtjen e telefonave celular. Megjithatë, nuk është e qartë nëse telefoni i tij celular u kontrollua dhe nëse u inspektua karta e tij e memories.
30. Policia mbajti kërkuesin në paraburgim nga 9 shtatori, ora 21:26 deri më 10 shtator, ora 3:05, pra, për 17.5 orë. Ai u mor në pyetje nga policia më 10 shtator, midis orës 1:32 dhe1:57.
31. Punëdhënësi i kërkuesit, kryeredaktor i revistës u njoftua në lidhje me kapjen e kërkuesit dhe me faktin se ai po mbahej në paraburgim. Ai telefonoi stacionin e policisë, por nuk i dhanë asnjë informacion në lidhje me kapjen e kërkuesit. Sipas kërkuesit, ai ishte vetëm nëdhomë, kur shefi i policisë thirri një zyrtar të lartë (emrin e të cilit kërkuesi nuk e ka përmendur në parashtresat e tij), në Ministrinë e Brendshme, një ditë pasi ishin bërë përgatitjet për lirimin e tij.
32. Policia në demonstratë arrestoi gjithsej 128 persona. Pas arrestimit për disa orë, ajo lëshoi të miturit (gjashtëmbëdhjetë individë). Shumica e atyre që u kapën u liruan më 11 shtator 2006. Kërkuesi ishte i paraburgosuri i shtatë i cili u mor në pyetje dhe i gjashti që do të lirohej pas të miturve. I dyshuari i fundit u lirua më 12 shtator 2006 në 11:07. B. Zhvillimet e mëvonshme
33. Mediat kombëtare dhe ato ndërkombëtare raportuan gjerësisht ngjarjen dhe masat e policisë. Çështja ishte edhe objekt i një hetimi të gjerë nga ana e zëvendësit Parlamentar të Ombudsmanit për vitin 2006 dhe 2007. Megjithatë, për shkak të rregullave procedurale, ai nuk mundi të hetojë rastin e kërkuesit, sepse në atë kohë procedurat penale anonin kundër tij.
34. Nga raporti i 9 shtatorit 2006, i Zëvendës Obbudsmanit Parlamentar, ndër të tjera duket se policia nuk kishte ndonjë informacion në lidhje me Koalicionin Dongzhou dhe se ishin të paqartë për organizatorët realë të demonstratës. Gjithashtu duket se policia ka kontrolluar përmbajtjen e telefonave celularë të të ndaluarve. Për më tepër, Ombudsmani ka kritikuar, ndër të tjera, faktin se ka pasur një numër të pamjaftueshëm të pikave të kontrollit në raport me numrin e njerëzve, dhe se ishte e panevojshme kohëzgjatja tre orëshe e mbajtjes së njerëzve jashtë zonës së rrethuar. Avokati i Popullit, gjithashtu vuri në pikëpyetje ligjshmërinë e kontrolleve të sigurisë.
35. Më 5 shkurt 2007 policia informoi 37 të dyshuarit që, nga ana e tyre, hetimi paraprak u ndërpre dhe se rastet e tyre nuk do t’i referoheshin prokurorit publik për shqyrtimin e akuzave. Prokurori publik ngriti padi kundër 86 personave.
C. Procedura penale kundër kërkuesit
36. Më 23 maj 2007, prokurori publik ngriti akuzat kundër kërkuesit për mosbindje ndaj policisë (niskoittelupoliisiavastaan, tredska mot Polis) sipas Kapitullit 16, neni 4, paragrafin 1, të Kodit Penal (rikoslaki, strafflagen).
37. Më 17 dhjetor 2007, Gjykata e Rrethit të Helsinkit (käräjäoikeus, Tingsrätten) e shpalli kërkuesin fajtor për mosbindje ndaj policisë sipas Kapitullit 16, neni 4, paragrafin 1, të Kodit Penal, por nuk imponoi asnjë dënim mbi të. Kërkuesi ka deklaruar para gjykatës se ai kishte dëgjuar urdhrat për t’u shpërndarë rreth orës 20:30, por kishte menduar se ato fjalë ishin vetëm për demonstruesit. Gjykata vendosi se veprimet e policisë kanë qenë të ligjshme dhe se kërkuesi kishte qenë në dijeni të urdhrave të policisë për të lënë vendin e ngjarjes, por kishte vendosur t’i injoronte ato. Nga deklaratat e dëshmitarëve të dhëna para gjykatës rezultoi se kërkuesi nuk i kishte thënë apo treguar oficerit të policisë, i cili ndodhej në këmbë aty pranë në kohën e arrestimit se ai ishte gazetar. Sipas këtij, oficerit të policisë ky fakt u bë i njohur kur u shfaq revista lidhur me kërkuesin. Nga dëshmia e një gazetari tjetër rezultoi se ai dhe një fotograf i tretë, i cili
kishte qenë në zonën e mbyllur, kishin qenë në gjendje, pak para se kërkuesi të ishte arrestuar, të largoheshin pa pasoja nga vendi i ngjarjes. Gazetari i fundit i mbetur ka dëshmuar se ai kapi fotografinë e tij të fundit në 21:15 të darkës dhe u largua nga zona vetëm 2 deri në 3 minuta para se kërkuesi të arrestohej. Gjykata e Qarkut përforcoi më tej pohimin se urdhrat e policisë kanë qenë të qartë dhe se ata kishin vënë dukshëm në dijeni këdo në turmë, e cila përbëhej nga demonstruesit, si dhe kalimtarë e anëtarë të tjerë të publikut. Për më tepër, Gjykata e Qarkut shqyrtoi justifikimin e cenimit të së drejtës së kërkuesit sipas nenit 10 të Konventës, në këtë mënyrë:“… Është i dyshimtë fakti që Pentikäinen si gazetar, në bazë të lirisë së shprehjes kishte të drejtën për të mos iu bindur urdhrave të dhëna nga policia. Pentikäinen ishte përgatitur të përdorte lirinë e tij të shprehjes si fotograf. Urdhrat e policisë për t’u shpërndarë e kufizuan lirinë e shprehjes së Pentikäinen. Pyetja e ngritur është nëse ka pasur një justifikim për këtë kufizim. Sipas nenit 12 të Kushtetutës dhe nenit 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, kushdo ka të drejtën e lirisë së shprehjes. Ajo përfshin të drejtën për të publikuar dhe shpërndarë informacion pa ndërhyrjen e autoriteteve. Sipas Kushtetutës, dispozita më të detajuara për ushtrimin e lirisë së shprehjes janë të përcaktuara nga ligji. Në përputhje me nenin 10 § 2 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ushtrimi i lirisë së shprehjes mund të jetë subjekt i formaliteteve, kushteve, kufizimeve, ose sanksioneve të cilat janë të përcaktuara me ligj. Në bazë të nenit në fjalë dhe jurisprudencës së Gjykatës së të Drejtave të Njeriut, tre kërkesa duhet të merren parasysh kur vlerësohen kufizimet: 1) kufizimi duhet të jetë i përshkruar me ligj, 2) duhet të ketë një arsye të pranueshme dhe 3) duhet të jetë i nevojshëm në një shoqëri demokratike. Para së gjithash, Gjykata e Qarkut deklaron se policia, në përputhje me nenet 18 dhe 19 të Ligjit të Policisë, ka të drejtë të bllokojë një zonë dhe të shpërndajnë një turmë. Në bazë të ushtrimit të kompetencave të saj, policia dha urdhër për t’u shpërndarë personat e mbetur në zonën Kiasma-Postitalo, urdhër të cilin Pentikäinen refuzoi ta ndiqte. Kështu, kufizimi është parashkruar nga ligji. Së dyti, Gjykata e Qarkut konsideron se kompetencat e parashikuara në nenet 18 dhe 19 të Ligjit të Policisë kanë të bëjnë me ruajtjen e rendit, sigurisë dhe me parandalimin e trazirave apo krimeve publike, dhe në këtë rast qëllimi për t’u shpërndarë kishte të bënte me parandalimin e trazirave. Prandaj, kufizimi ka arsye të pranueshme. Së treti, duhet të shqyrtohet nëse urdhri për t’u shpërndarë, i cili iu dha Pentikäinen dhe detyrimi i tij për ta ndjekur atë ishte i nevojshëm në një shoqëri demokratike. Gjykata e Qarkut konstaton se për të ndaluar situatën në Kiasma ishte e nevojshme të urdhërohej shpërndarja e turmës dhe t’i kërkohej të pranishmëve të largoheshin nga zona. Gjykata e Qarkut arriti në përfundimin se, në rastin konkret, janë plotësuar kushtet për kufizimin e lirisë së shprehjes së Pentikäinen-së, duke e urdhëruar atë për t’u shpërndarë së bashku me turmën e mbetur. Gjykata e Qarkut ka analizuar si më poshtë, elementet që kanë efekt në dënueshmërinë e aktit të Pentikäinen.
Rasti, të cilit i referohet Pentikäinen (Dammann k. Zvicrës, 25 prill 2006) kishte të bënte me një situatë në të cilën një gazetar ishte dënuar në Zvicër për shkelje të sekretit shtetëror, kur ai kishte kërkuar dhe marrë informacion nga një asistente administrative në zyrën e prokurorit publik, në lidhje me disa shënime të regjistrit. Gjykata konstatoi se dënimi i kërkuesit mund të pengojë gazetarët të marrin pjesë në diskutimet publike për çështje të interesit të përgjithshëm. Dënimi nuk ishte në proporcion me qëllimet e kërkuara, pasi në këtë mënyrë kishte shkelur nenin 10 të
Konventës. Gjykata e Qarkut konstaton se rasti i cituar nuk është i ngjashëm me rastin në fjalë.
“….Megjithatë, duke u mbështetur në Kapitullin 6, të nenit 12, të Kodit Penal, mbi kërkuesin nuk u imponua asnjë dënim, duke qenë se vepra ishte e krahasueshme me “një akt të falshëm” (anteeksiannet tavaantekoonrin nastet tava, jämförbarmedenursäktlig gärning).
Gjykata Kushtetuese konstatoi se:
“…Pentikäinen nuk u dënua në përputhje me kapitullin 6, nenin 12 § 3 të Kodit Penal, sepse vepra, për arsye të veçanta që lidhen me aktin, mund të konsiderohet e krahasueshme me një akt të falshëm. Si gazetar, Pentikäinen u detyrua të përshtaste sjelljen e tij për shkak të pritjeve kontradiktore të shprehura nga policia, nga njëra
anë, dhe profesionit e punëdhënësit të tij, në anën tjetër….”
38. Me letrën e datës 23 janar 2008 kërkuesi apeloi në Gjykatën e Apelit të Helsinkit (hovioikeus, hovrätten), duke pretenduar se Gjykata e Qarkut duhet të kishte hedhur poshtë
akuzat kundër tij. Ai argumentoi se kapja e tij dhe fakti që ai u shpall fajtor ishin kundër Kushtetutës dhe nenit 10 të Konventës. Kërkuesi ishte gazetar, nuk kishte marrë pjesë në demonstratë dhe nuk kishte shkaktuar ndonjë çrregullim. Gjykata e Qarkut nuk kishte argumentuar pse kapja dhe dënimi i tij ishin “të nevojshme në një shoqëri demokratike”, dhe në këtë mënyrë ka dështuar në justifikimin e ndërhyrjes.
39. Më 30 prill 2009, Gjykata e Apelit hodhi poshtë ankesën e kërkuesit, pa dhënë asnjë arsye të mëtejshme.
40. Me letrën e datës 24 qershor 2009, kërkuesi apeloi në Gjykatën e Lartë (korkeinoikeus, Högsta Domstolen), duke përsëritur arsyet e ankesës të paraqitur më parë në Gjykatën e Apelit.
41.Më 1 shtator 2009, Gjykata Supreme refuzoi apelimin e kërkuesit.
II. LEGJISLACIONI DHE PRAKTIKA E BRENDSHME E APLIKUESHME
A. Akti i Policisë
42. Në bazë të nenit 14 të Ligjit të Policisë (poliisilaki, polislagen;. Akti numër 493/1995, në fuqi në kohën përkatëse), me kërkesë të zaptuesve të ambienteve të brendshme ose publike, apo përfaqësuesve të tyre, oficerët e policisë kishin të drejtën të përzinin të gjithë ata që ishin futur në mënyrë të paligjshme, fshehurazi apo që nuk i bindeshin urdhrit për t’u larguar. Oficerët e policisë kishin të drejtën të përzinin këdo që ishte në zonën e përmendur më sipër, nëse ai ose ajo prishte qetësinë e një ambienti të brendshëm ose publik, apo të personave të tjerë, si dhe me mënyra të tjera shkaktonte një shqetësim të konsiderueshëm, dhe kishte baza të arsyeshme për të dyshuar se shqetësimi do të përsëritej. Në qoftë se ky dëbim nuk do të parandalonte ri përsëritjen e këtij shqetësimi, oficerët e policisë kishin të drejtën e arrestimit dhe të paraburgimit të personit që shkaktonte shqetësimin. Personi i arrestuar mund të mbahej në paraburgim vetëm për aq kohë sa shqetësimi kishte gjasa të përsëritej, por jo më shumë se 12 orë pas arrestimit.43. Në bazë të nenit 18 § 1 të Ligjit të Policisë, oficerët e policisë kishin të drejtë të ndanin, mbyllnin apo spastronin një vend, apo zonë në përdorim publik, ose të ndalonin dhe kufizonin lëvizjen në të, në qoftë se kjo ishte e nevojshme për të ruajtur rendin dhe sigurinë publike, për të siguruar një hetim, apo për të mbrojtur masat e marra në vendin e aksidentit, jetën private të personave që i janë nënshtruar masave dhe çdo pronë të rrezikuar.
44. Neni 19 i Ligjit të Policisë parashikon se oficerët e policisë kanë të drejtë të urdhërojnë që një turmë të shpërndahet ose të lëvizë, nëse ajo kërcënon rendin dhe sigurinë, apo pengon trafikun publik. Në qoftë se një urdhër për t’u shpërndarë nuk zbatohet, policët kanë të drejtë të përdorin forcën për të shpërndarë turmën dhe për kapjen e personave që nuk binden. Personat e kapur duhet të lirohen, sapo të jetë përmbushur qëllimi i masës së marrë, por jo më vonë se 12 orë pasi janë kapur.
45. Një Akti i ri i Policisë (poliisilaki, polislagen,. Akti nuk 872/2011) ka hyrë në fuqi më 1 janar 2014. Kapitulli 2, nenet 5, 8 dhe 9, të Ligjit të ri përmbajnë të njëjtat rregulla, duke përfshirë se një person i arrestuar mund të mbahet në paraburgim vetëm për aq kohë sa ka të ngjarë që shqetësimi të përsëritet, por jo më shumë se 12 orë pas arrestimit.
B. Masat shtrënguese
46. Kapitulli 1, neni 2, pika 2, i Aktit të masave shtrënguese (pakkokeinolaki, tvångsmedelslagen;. Akti numër 450/1987, që ishte në fuqi në kohën përkatëse), parashikon se në qoftë se parakushtet për arrestim kanë ekzistuar, një oficer i policisë mund të arrestojë një të dyshuar për një vepër edhe pa urdhër-arresti, nëse mos arrestimi i tij mund të përbëjë rrezik. Polici, pa vonesë duhet të njoftojë për arrestimin e kryer një zyrtar që ka kompetencën për të arrestuar. Zyrtari që ka kompetencën për të arrestuar duhet të vendosë, brenda 24 orëve të arrestimit, nëse personi do të lirohet apo mbahet në arrest.
47. Një Akti ri i Masave Shtrënguese (Pakkokeinolaki, tvångsmedelslagen, Akti numër 806/2011) ka hyrë në fuqi më 1 janar 2014. Kreu 2, Neni 1, i Ligjit të ri parashikon si më poshtë:
“Një polic, me qëllim qartësimin e një shkelje mund të arrestojë një të dyshuar për shkeljen për të cilën është kapur në flagrancë, ose në përpjekje arratisjeje. Një polic mund të arrestojë gjithashtu një të dyshuar për një vepër për të cilën është urdhëruar paraburgimi ose arrestimi i tij. Përveç kësaj, një oficer i policisë, gjatë shqyrtimit gjyqësor ose gjatë shqyrtimit të vendimit mund të arrestojë të pandehurin, nëse arrestimi është i nevojshëm për të parandaluar largimin e tij dhe është kërkuar në lidhje me gjykimin. Nëse ekzistojnë parakushtet për arrestim dhe arrestimi i mëvonshëm bëhet i pamundur, një polic mund të arrestojë një të dyshuar për një shkelje, edhe pa urdhër arresti. Punonjësi i policisë duhet të njoftojë pa vonesa një zyrtar që ka kompetencë të kryejë këtë arrestim. Zyrtari që ka kompetencë të kryejë arrestimin, brenda 24 orëve nga arrestimi vendos, nëse personi që është arrestuar do të lihet i lirë, apo do të vazhdojë të mbahet në arrest. Vazhdimi i arrestimit për më shumë se 12 orë kërkon ekzistencën e parakushteve për arrestimin.”
C. Akti i Hetimeve Penale48. Në bazë të nenit 21 të Ligjit për Hetimet Penale (esitutkintalaki, förundersökningslagen, Akti numër 449/1987, në fuqi në kohën në fjalë), i dyshuari që nuk është arrestuar, nuk duhet të jetë i pranishëm për më shumë se 12 orë në hetimin penal ose, nëse janë plotësuar kushtet për arrestimin sipas ligjit të masave shtrënguese, për më shumë se 24 orë.
49. Në bazë të nenit 24, pikës 2, të të njëjtit Ligj, marrja në pyetje mund të bëhet midis orës 22 dhe 7, vetëm nëse:
(1) personi që merret në pyetje e kërkon vetë këtë;
(2) çështja është nën hetim të thjeshtuar dhe për këtë arsye personi nën pyetje duhet të qëndrojë, apo të shkojë menjëherë në vendin e kërkuar; ose
(3) ka ndonjë arsye të ngutshme për këtë.
50. Të njëjtat rregulla janë të përfshira përkatësisht në kapitullin 6, neni 5, paragrafin 2, dhe në Kapitullin 7, neni 5, paragrafi 2, i ligjit të ri të Hetimeve penale (esitutkintalaki, förundersökningslagen, Akti nuk 805/2011.), i cili ka hyrë në fuqi më 1 janar 2014.
D. Kodi Penal
51. Sipas kapitullit 16, neni 4, paragrafin 1, i Kodit Penal (rikoslaki, strafflagen;.. Akti nr. 39/1889, i ndryshuar nga Akti nr. 563/1998),
Një person i cili:
(1) nuk i bindet një urdhri të një oficeri policie, brenda kompetencave të tij ose të saj, për ruajtjen e rendit publik apo sigurisë ose kryerjen e një detyre,
(2) nuk pranon t’i japë një oficeri të policisë të dhënat identifikuese të përmendura në nenin 10, paragrafi 1, i Ligjit të Policisë,
(3) nuk i bindet një sinjali të qartë të një oficeri të policisë, apo urdhri për ndalimin ose lëvizjen e një automjeti, sikurse parashikohet në nenin 21 të Ligjit të Policisë,
(4) neglizhon detyrimin për të ofruar ndihmë, sikurse parashikohet në nenin 45 tëLigjit të Policisë, ose
(5) alarmon policinë pa arsye, ose, pengon operacionet e policisë duke siguruar informacion të rremë, do të dënohet për mosbindje ndaj policisë me gjobë, ose burgim për jo më shumë se tre muaj, nëse nuk është parashikuar një dënim më i rëndë në ligje të tjera.
52. Në kapitullin 6, neni 12, të të njëjtit Kod deklarohet:
Gjykata mund të tërheqë dënimin, nëse:
(1) gjatë vlerësimit të shkeljes, duke marrë parasysh dëmin, apo fajësinë e treguar nga shkaktari i saj, ajo konsiderohet e parëndësishme,
(2) kundërvajtësi e ka kryer veprën nën moshën 18 vjeç dhe akti konsiderohet se ka ardhur si rezultat i mungesës së të kuptuarit, apo pakujdesisë,
(3) për arsye të veçanta që lidhen me shkeljen apo kundërvajtësin, shkelja mund të konsiderohet e krahasueshme me një akt të falshëm,
(4) Dënimi do të konsiderohet i paarsyeshëm ose i pakuptimtë, duke marrë veçanërisht në konsideratë faktorët e përmendur më sipër, ato në nenin 6, paragrafi 3 dhe nenin 7, ose veprimet nga ana e autoriteteve të sigurisë dhe të shëndetit, ose (5) shkelja nuk do të ketë efekt të rëndësishëm në dënimin total, për shkak të dispozitave për marrjen e një dënimi të përbashkët.
D. Ligji i të Dhënave Penale53. Neni 2, paragrafët 1-2, të Ligjit të të Dhënave Penale (rikosrekisterilaki, straffregisterlagen,. Akti nuk 770/1993) parashikojnë se:
“Në bazë të njoftimeve të gjykatave, të dhënat duhet të futen në të dhënat kriminale në rastet e vendimeve, kur në Finlandë një person është dënuar me burgim të pandërprerë; shërbime publike; burgim të pezulluar; burgim të pezulluar, plotësuar me gjobë, shërbim ndaj komunitetit, apo mbikëqyrje; ose largim nga zyra; ose kur nga dënimi është hequr dorë në bazë të kapitullit 3, neni 4, të Kodit Penal (39/1889). Megjithatë, asnjë shënim nuk do të vihet në të dhënat kriminale në rastin e konvertimit të gjobave me burg, dhe as në burgosjen e imponuar sipas Ligjit të
Shërbimit Civil (1723/1991). Gjithashtu, të dhënat mbi gjobat e vëna në bazën e dispozitave që rregullojnë përgjegjësinë penale të korporatave nuk duhet të hyjnë në të dhënat penale.
Më tej, siç parashikohet nga Dekreti, të dhënat që do të futen në të dhënat penale janë vendimet e gjykatës, në të cilat një shtetas finlandez, ose i huaj me banim të përhershëm në Finlandë ka qenë i dënuar jashtë vendit me një dënim ekuivalent me ato të përmendura në paragrafin (1). ”
III. STANDARDET NDËRKOMBËTARE DHE EVROPIANE
54. Në informacionet që disponon Gjykata në lidhje me standardet ndërkombëtare dhe evropiane, referencat specifike për sjelljen e gazetarëve gjatë demonstratave janë të pakta. Megjithatë, ekzistojnë disa rregullore, apo rekomandime që rregullojnë sjelljen e policisë ndaj gazetarëve që mbulojnë demonstratat apo ngjarje të ngjashme, ndërkohë që ka edhe një detyrim nga ana e gazetarëve të mos pengojnë policinë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.
55. Për shembull Udhëzimet e hartuara nga Zyra për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (“ODIHR”), Organizata për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë (“OSBE”) dhe Komisioni Evropian për Demokraci nëpërmjet Ligjit (“Komisioni i Venecias”) (shih OSBE/ODIHR/Venice Udhëzimet e Komisionit për lirinë e tubimit paqësor (botim 2), përgatitur nga Paneli OSBE/ ODIHR për lirinë e Asamblesë dhe nga ana e Komisionit të Venecias, miratuar nga Komisioni i Venecias në seancën e 83-të plenare (Venecia, 4 qershor 2010)) deklarojnë si më poshtë: “168. Nëse shpërndarja është e nevojshme, organizatori i grupit dhe pjesëmarrësit, përpara çdo ndërhyrje nga ana e personelit të zbatimit të ligjit, duhet të informohen në mënyrë të qartë dhe të kuptueshme. Pjesëmarrësve duhet t’u jepet kohë e arsyeshme për t’u shpërndarë në mënyrë vullnetare. Vetëm në qoftë se pjesëmarrësit nuk shpërndahen, zyrtarët mund të zbatojnë ligjin dhe të ndërhyjnë.
Palëve të treta (të tilla si vëzhgues, gazetarë dhe fotografë), mund t’u kërkohet të shpërndahen, por ata nuk duhet të parandalohen nga vëzhgimi dhe regjistrimi i operacionit policor…
169. Fotografimi dhe video regjistrimi (nga personeli i zbatimit të ligjit dhe nga pjesëmarrësit) nuk duhet të kufizohet, por ruajtja e të dhënave të regjistruara mund të shkelë të drejtën e jetës private: Gjatë grumbullimeve publike, fotografimi apo video regjistrimi i pjesëmarrësve nga personeli i zbatimit të ligjit është i lejueshëm. Megjithatë, ndërsa monitorimi i individëve në një vend publik, për qëllime tëidentifikimit nuk do të sillte një ndërhyrje në të drejtën e tyre për jetë private, regjistrimi i këtyre të dhënave dhe përpunimi sistematik, apo natyra e këtyre të dhënave të regjistruara mund të sjellin shkelje të privatësisë. Për më tepër, fotografimi apo regjistrimi video i grupeve, me qëllim mbledhjen e inteligjencës dhe informacionit, mund të dekurajojnë individët  nga gëzimi i së drejtës së lirisë, prandaj nuk duhet të bëhet në mënyrë rutinë. Fotografimi apo regjistrimi në video i operacionit policor nga pjesëmarrësit dhe palët e tjera të treta nuk duhet të ndalohet, dhe duhet të jenë subjekt i shqyrtimit paraprak gjyqësor çdo kërkesë për të dorëzuar filmim, pamje, apo imazhe të regjistruara në mënyrë dixhitale tek agjencitë e zbatimit të ligjit. Agjencitë e zbatimit të ligjit duhet të zhvillojnë dhe të publikojnë një politikë në lidhje me përdorimin prej tyre të filmimit/fotografisë së marrë në grumbullimet publike.”
56. Rregullat, standardet, rekomandimet, apo njoftimet publike evropiane dhe ndërkombëtare, në lidhje me sjelljen e gazetarëve janë të pakta sa i përket mbulimit të demonstratave apo ngjarjeve të ngjashme. E njëjta gjë vlen për vetë rregullimin e kodeve të sjelljes ose etikës profesionale të gazetarëve.
IV. LIGJI KRAHASUES
57. Nga informacioni në dispozicion të Gjykatës, që përfshin një studim krahasues të ligjit të tridhjetë e katër shteteve anëtare të Këshillit të Evropës (Austria, Azerbajxhani, Belgjika, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Qipro, Republika Çeke, Estonia, Franca, Gjeorgjia, Gjermania, Greqia, Hungaria, Irlanda, Italia, Letonia, Lihtenshtejni, Lituania, Luksemburgu, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, Moldavia, Holanda, Polonia, Portugalia, Rumania, Rusia, Serbia, Sllovakia, Sllovenia, Spanja, Suedia, Zvicra, Ukrainë dhe Mbretëria e Bashkuar), u nxor përfundimi se të gjitha shtetet e anketuara zbatojnë dispozitat e përgjithshme të ligjit penal ndaj gazetarëve që mbulojnë demonstratat. Nuk ka status të veçantë në lidhje me arrestimin, paraburgimin dhe dënimin e gazetarëve. Për këtë arsye, anëtarët e mediave kanë mbajtur përgjegjësi për krimet e kryera gjatë demonstratave, në të njëjtën mënyrë si pjesëmarrësit e këtyre demonstratave. Edhe pse një jurisprudencë e ngjashme me çështjen në fjalë u gjet në pesë nga shtetet e anketuara, Austri, Hungari, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, Spanjë dhe Suedi, nuk u arrit të dilej në një konkluzion përfundimtar.
58. Për sa i përket kompetencave të policisë, shumica e shteteve të anketuara nuk kanë rregulluar çështjen specifike të grumbullimit të informacionit gjatë demonstratave të dhunshme. Udhëzime dhe rregullore të përgjithshme që shërbejnë si rregullatorë të marrëdhënies midis policisë dhe mediave u gjetën në dymbëdhjetë shtete anëtare (Belgjika, Bullgaria, Gjermania, Greqia, Hungaria, Luksemburgu, Moldavia, Holanda, Rusia, Spanja, Suedia dhe Mbretëria e Bashkuar), ku, si rregull i përgjithshëm, pjesëtarët e mediave që mbulojnë këto ngjarje u inkurajuan të identifikojnë veten si të tillë në mënyrë që të dallohen nga pjesëmarrësit. Megjithatë, ndërsa ky veçim i anëtarëve të mediave kishte për qëllim lehtësimin e veprimtarisë gazetareske, nuk synonte efektin e dhënies së çdo lloj imuniteti gazetarëve, në rastin kur ata nuk i janë përmbajtur urdhrave të policisë për t’u larguar nga vendi i ngjarjes së një demonstrate. Vetëm një numër i kufizuar i shteteve anëtare
(Gjeorgjia, Moldavia, Rusia, dhe Serbia) janë marrë me çështjet prodhimit të lajmeve gjatë demonstratave, duke i specifikuar në rregulloret e tyre të veçanta. Në këto shtete anëtare,
gazetarëve u janë ofruar zona të posaçme të mbrojtura, nga të cilat ata mund të mbulonin demonstratat, ose janë informuar për zonat më të sigurta në të cilat mund të kryeninaktivitetin e tyre.
Megjithatë, baraspesha e përgjithshme e këtyre interesave duket të jetë penguar, duke anuar më shumë drejt ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, në momentin që ndiqen udhëzimet e policisë.
59. Ndërsa një pjesë e madhe e shteteve anëtare të anketuar kishin kodet e sjelljes së profesionistëve, apo kodet e etikës për gazetarët, të cilat nuk përmbanin dispozita të veçanta në lidhje me marrëdhëniet në mes gazetarëve dhe policisë gjatë demonstratave. Këto kode janë fokusuar në teknikat e hetimit dhe burimeve gazetareske, si dhe ne mbrojtjen e privatësisë së palës së tretë.
LIGJI
SHKELJA E PRETENDUAR E NENIT 10 TË KONVENTËS
60. Kërkuesi u ankua në bazë të nenit 10 të Konventës se liria e tij e shprehjes ishte shkelur. Neni 10 i Konventës parashikon si më poshtë:
“1. Çdokush ka të drejtën e lirisë së shprehjes. Kjo e drejtë përfshin lirinë e mendimit dhe lirinë për të marrë ose për të dhënë informacione dhe ide pa ndërhyrjen e autoriteteve publike dhe pa marrë parasysh kufijtë. Ky nen nuk i ndalon Shtetet që t’u kërkojnë ndërmarrjeve të transmetimit audioviziv, televiziv ose kinematografik të pajisen me licencë.
2. Ushtrimi i këtyre lirive që përmban detyrime dhe përgjegjësi, mund t’u nënshtrohet atyre formaliteteve, kushteve, kufizimeve ose sanksioneve të parashikuara me ligj dhe që janë të nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë kombëtare, integritetit territorial ose sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit dhe parandalimin e krimit, për mbrojtjen e shëndetit ose të
moralit, për mbrojtjen e dinjitetit ose të të drejtave të të tjerëve, për të ndaluar përhapjen e të dhënave konfidenciale ose për të garantuar autoritetin dhe paanshmërinë e pushtetit gjyqësor.”
A. Gjykimi i dhomës
61. Dhoma konsideroi se, duke qenë se kapja dhe dënimi i kërkuesit, kur nuk iu bind policisë kishte ardhur si pasojë e sjelljes së tij si fotograf dhe gazetar i një gazete, supozohej se ka pasur një cenim në të drejtën e tij për lirinë e shprehjes. Në vijim, Dhoma konstatoi se palët ranë dakord që masat e kundërshtuara kishin një bazë në ligjin finlandez, veçanërisht në kapitullin 16, neni 4, të Kodit Penal. Ndërhyrja ishte kështu e “parashikuar me ligj” dhe janë ndjekur disa qëllime legjitime, përkatësisht mbrojtja e sigurisë publike, si dhe parandalimi i kaosit dhe kryerjes së krimeve.
62. Për sa i përket domosdoshmërisë në një shoqëri demokratike, Dhoma vuri në dukje se kërkuesi hoqi dorë nga e drejta e tij për të përdorur zonën e ndarë edhe të siguruar për shtypin, kur ai edhe pas urdhrave të dhëna vendosi të qëndrojë me demonstruesit. Është konstatuar se kërkuesi ishte në dijeni të urdhrave të policisë për të lënë vendin e ngjarjes, por vendosi t’i injorojë ato. Kërkuesi mund të kishte lënë vendin e ngjarjes në çdo moment dhe pa pasoja dhe të zhvendosej në zonën e siguruar për shtypin. Duke mos e bërë këtë, kërkuesi me vetëdije të plotë mori përsipër rrezikun për t’u ndaluar për mosbindje.                                                                                                                                                                                                                                                                                  63.Për Dhomën nuk ishte plotësisht e qartë, se në cilën fazë policia kishte mësuar se kërkuesi ishte gazetar. Dukej se kërkuesi nuk kishte bërë përpjekje të qarta për të identifikuar veten e tij si gazetar. Për më tepër, nuk duket se ai ishte penguar, në ndonjë mënyrë, për fotografimin e demonstratës. As nuk i konfiskuan kamerën, apo pajisje të tjera të tij dhe e lejuan të mbante të gjitha fotografitë që kishte marrë dhe t’i përdorte ato në mënyrë të pakufizuar.
64. Dhoma deklaroi se demonstrata ishte një çështje e interesit legjitim publik, duke pasur parasysh në veçanti natyrën e saj. Gjykata e Rrethit e kishte analizuar çështjen nga këndvështrimi i Nenit 10, duke balancuar interesat e ndryshme kundrejt njëri-tjetrit, dhe konstatoi se kishte një presion të madh social për të marrë masat e duhura kundër kërkuesit. Dhoma i dha peshë gjithashtu faktit se kërkuesit nuk iu dha asnjë dënim, duke qenë se veprimi i tij u konsiderua si i “justifikueshëm” nga gjykatat e brendshme. Duke pasur parasysh të gjithë faktorët, Dhoma deklaroi se gjykatat e brendshme kishin arritur një ekuilibër të drejtë midis interesave konkurruese në fjalë. Prandaj, nuk ka pasur shkelje të nenit 10 të Konventës.
B. Parashtrimet e palëve
1. Kërkuesi
65. Kërkuesi u ankua se ka pasur shkelje të së drejtës së tij për lirinë e shprehjes për shkak se policia i kishte kërkuar që të largohej nga vendi demonstratës, ai u arrestua dhe nuk ishte në gjendje gjatë ndalimit të tij prej 17.5 orësh të transmetonte informacionin, dhe për shkak se ai kishte qenë i dyshuar, i akuzuar dhe i dënuar për një krim që përbënte një “efekt frikësues” mbi të drejtat dhe punën e tij.                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                           66. Për sa i përket faktit se ndërhyrja ka qenë e përcaktuar me ligj apo jo, kërkuesi pohoi se policia, në disa faza të ndryshme ka tejkaluar kompetencat e saj ligjore, ose ka abuzuar me pushtetin e saj. Para së gjithash, disproporcionaliteti i urdhrit kategorik të policisë për të shpërndarë turmën tregoi se nuk ishte në përputhje me ligjin finlandez. Vendimi i policisë për të trajtuar demonstratën si një protestë ishte i diskutueshëm, duke qenë se shkalla e sjelljes agresive ishte relativisht e limituar, dhe e përbërë vetëm nga disa individë. Së dyti, ndalimi i kërkuesit ishte paligjshëm duke qenë se zgjati gjatë gjithë natës dhe për rreth 17.5 orë. Personat e kapur duhet të lirohen sa më shpejt që të jetë e mundur, e jo më vonë se 12 orë pasi ata janë arrestuar. Policia do të kishte qenë në gjendje ta mbante atë të arrestuar për më shumë se 12 orë, vetëm nëse ai do të kishte qenë i dyshuar për trazirat e shkaktuara. Policia, fillimisht ka kapur kërkuesin për mosbindje ndaj policisë, por më vonë, sipas kërkuesit, arsyeja për arrestimin e tij kishte ndryshuar, në arrestim si pjesëtar i trazirave. Duke qenë se kërkuesi tregoi qartë se nuk kishte marrë pjesë në demonstratë, sjellja e tij nuk mund të përkufizohet si pjesë e trazirave. Policia nuk kishte, pra, arsye të mjaftueshme për kapjen e tij dhe ai duhet të ishte liruar menjëherë, ose më së shumti brenda 12 orëve. Për më tepër, kërkuesi duhet të ishte marrë në pyetje ose të intervistohej pa vonesë, duke qenë se marrja në pyetje mund të bëhej edhe ndërmjet orës 10 të darkës dhe 7 të mëngjesit, nëse i dyshuari e kërkon vetë diçka të tillë ose në qoftë se ka pasur një tjetër arsye të ngutshme.
67. Kërkuesi, gjithashtu parashtroi se dënimi për veprën penale nuk ishte i bazuar në ligj, pasi ai nuk ishte vënë në dijeni se mund të dënohej për një vepër penale nëse vazhdonte tëbënte fotografi në zonën e rrethuar. Duke qenë se gjykatat e brendshme nuk kishin dhënë arsye për gjykimet e tyre, edhe çështjet e ligjshmërisë nuk janë vlerësuar nga ana e tyre. Prandaj, kërkuesi pohoi se ndërhyrja nga policia, prokurori dhe gjykatat e brendshme nuk kishin bazë sipas ligjit finlandez.
68. Kërkuesi u shfaq i gatshëm për të pranuar se cenimi mund të ketë ndjekur një qëllim legjitim.
69. Sa i përket nevojës, kërkuesi vuri në dukje se detyra e tij ishte dhënia e informacionit në lidhje me demonstratën në kohë të arsyeshme. Ai po punonte për krijimin e një historie të detajuar për çdo palë të demonstratës dhe për publikimin në internet të informacionit në lidhje me demonstratën, menjëherë pas përfundimit të saj. Kërkuesi pretendoi se në vendin e demonstrimit nuk kishte pasur asnjë zonë të veçantë të siguruar për shtypin dhe gazetarët. Ai kishte kontaktuar të gjitha organizatat kryesore të mediave dhe kuptoi se asnjë nga gazetarët e pranishëm aty nuk ishte udhëzuar të shkonte në një zonë të siguruar dhe në fakt, askush nuk kishte parë një sipërfaqe të tillë. Pamja nga jashtë zonës së rrethuar ishte bllokuar nga një linjë e dendur dhe me shumë shtresa e policëve dhe autobusëve të policisë. Në 7.15 të darkës policia kishte rrethuar një sipërfaqe edhe më të madhe, gjë që e kishte bërë edhe më të vështirë ndjekjen e ngjarjeve. Nuk ka mundësi të ketë pasur një zonë të siguruar për gazetarët, pasi fillimisht demonstrimi ishte menduar si marshim dhe për këtë arsye, një zonë statike për shtypin nuk do t’i kishte shërbyer ndonjë qëllimi.
Edhe në qoftë se ka pasur një zonë të tillë, përdorimi i saj duhet të kishte qenë me dëshirë, pasi nuk ishte në dorë të autoriteteve shtetërore të vendosin se nga cili kënd gazetarët mund të mbulonin ngjarjen.
70. Kërkuesi pohoi më tej se pretendimi që ai nuk e kishte prezantuar veten si gazetar ishte në kundërshtim me të menduarit praktik. Ai kishte pasur një distinktiv gazetari rreth qafës së tij, fakt i cili u dëshmua para Gjykatës së Qarkut nga një dëshmitar. Ai po mbante një çantë kamerash dhe dy kamera të një lloji, të cilat në vitin 2006 janë përdorur vetëm nga gazetarët profesionistë. Nga raporti i hetimit paraprak evidentohej se kërkuesi e kishte identifikuar veten si një gazetar përpara oficerit të policisë që e kishte arrestuar. Në fund të demonstratës, kërkuesi kishte qëndruar midis demonstruesve dhe vijës së policisë dhe në këtë mënyrë, kishte qenë i ndarë nga demonstruesit. Në atë moment situata ishte e qetë dhe nën kontrollin e policisë. Pasi kishte ndaluar demonstruesit, një polic kishte bërtitur “Kapni fotografin” dhe kërkuesi ishte kapur teksa ishte duke bërë fotografi. Kur ai ishte në qelinë polici i kishte treguar oficerëve se ishte gazetar.
71. Kërkuesi argumentoi se ndalimi i tij për 17.5 orë ka qenë i tepruar. Policia mund ta linte atë të lirë në vendin e ngjarjes, ose ta ndalonte jo më shumëse 12 orë. Videoja që kërkuesi kishte bërë gjatë demonstrimit, deri në kohën që ai ishte liruar konsiderohej tashmë “e vjetër”. Policia kishte liruar disa orë pas arrestimit të miturit dhe kërkuesi mund të ishte liruar në të njëjtin moment. Policia, po ashtu mund të ndërpriste hetimin paraprak në rastin e tij dhe prokurori mund të rrëzonte akuzat kundër tij. Megjithatë, shteti e konsideroi të rëndësishme që kërkuesi të ndiqej penalisht dhe ndoshta të dënohej për mosbindje. Shteti e kishte dënuar atë për kryerjen e punës së tij, edhe pse ai ishte ndëshkuar nga pasojat e veprimeve konkrete të policisë. Gjykimi në Gjykatën e Qarkut dhe kohëzgjatja e paraburgimit do të kenë “efekt të qartë frikësues” në punën e gazetarit. Gjykatat e brendshme nuk kishin vlerësuar se ndërhyrja kishte pasur një “nevojë të ngutshme sociale”. Gjykata e Qarkut nuk kishte balancuar si duhet interesat konkurruese, por thjesht deklaroi se përfundimi i demonstrimit dhe urdhri ndaj turmave ka qenë i nevojshëm që ato tëshpërndahen. Ajo nuk e kishte vlerësuar natyrën e “nevojës së ngutshme sociale”, që diktonte largimin e kërkuesit nga vendi i ngjarjes. Ajo, gjithashtu kishte dështuar në marrjen parasysh të jurisprudencës së Gjykatës, sipas së cilës një vendim i tillë do të kishte “efekt frikësues” në gazetari.
2. Qeveria
72. Qeveria ra dakord me përfundimin e Dhomës që pohon se nuk ka pasur shkelje të nenit 10 të Konventës, në rastin në fjalë.
73. Sipas mendimit të Qeverisë, nuk ka pasur cenim në të drejtën e kërkuesit për lirinë e shprehjes. Ata vunë në dukje se policia nuk e kishte penguar kërkuesin për mbulimin e ngjarjes. Arsyeja për arrestimin e kërkuesit nuk kishte qenë se ai po vepronte si fotograf, por fakti se kishte refuzuar në mënyrë të përsëritur t’i bindej urdhrave të qëndrueshme dhe të qarta të policisë për të lënë vendin e ngjarjes. Urdhrat e policisë i drejtoheshin të gjithë të pranishmëve në vendin e ngjarjes. Dëshmia tregoi gjithashtu se kërkuesi ishte urdhëruar personalisht nga një oficer i policisë për t’u larguar nga vendi i ngjarjes, më pas ai ishte konsultuar me eprorin e tij, nëse duhej të qëndronte apo jo, pavarësisht urdhrave të policisë. Kërkuesi, në asnjë moment deri në kapjen e tij nuk ishte urdhëruar të ndalonte fotografimin, madje edhe në një distancë shumë të afërt. Sapo policia kishte zbuluar se kërkuesi ishte anëtar i shtypit, kamera e tij, kartat e memories dhe pajisje të tjera menjëherë u konsideruan si burime gazetareske dhe nuk u konfiskuan. Ai ishte në gjendje të mbante fotografitë dhe asnjë kufizimin nuk ishte vendosur nga autoritetet për përdorimin e fotografive. Kërkuesi ka qenë i paraburgosuri i shtatë që është marrë në pyetje dhe i gjashti që u lirua, nga 81 të burgosurit e marrë në pyetje atë ditë. Pasi kanë liruar të miturit, policët, sa më shpejt që ishte e mundur rikthyen vëmendjen nga kërkuesi.
74. Qeveria, më tej theksoi se asnjë nga proceset e brendshme në lidhje me kërkuesin, as procedurat aktuale para Gjykatës nuk dënuan veprimet e tij si fotograf. Çështja në fjalë krijoi tepër shqetësim për veprimet e tij si pjesë e një turme, e cila pasi u këshillua dhe u urdhërua të shpërndahej, refuzoi t’i bindej policisë. Ishte kjo arsyeja që gjykatat vendase kishin shpallur kërkuesin fajtor për mosbindje ndaj policisë. Për më tepër, Gjykata e Qarkut kishte vendosur të mos jepte asnjë sanksion për kërkuesin, duke qenë se sipas saj, kërkuesi e kishte gjetur veten në një situatë konfliktuale. Ai duhet të zgjidhte nga njëra anë, midis bindjes dhe urdhrave të policisë dhe nga ana tjetër midis urdhrave të dhëna nga punëdhënësi i tij, që e kishte dërguar të mbulonte ngjarjen dhe e kishte këshilluar të qëndronte në vendin e ngjarjes, pasi e urdhëruan personalisht të largohej. Duke pasur parasysh këtë vështirësi të kuptueshme, Gjykata e Qarkut e konsideroi refuzimin e kërkuesit për t’iu bindur policisë të krahasueshëm me “një akt të falshëm”.
75. Në alternativë, nëse Gjykata do të konstatonte se ka pasur cenim në të drejtën e kërkuesit për lirinë e shprehjes, qeveria argumentoi se ndërhyrja ishte e “parashikuar me ligj”. Ndërhyrja kishte pasur edhe disa qëllime legjitime, përkatësisht mbrojtjen e sigurisë publike, si dhe parandalimin e trazirave dhe kryerjen e krimeve, siç u deklarua nga Dhoma e Madhe.
76. Për sa i përket domosdoshmërisë në një shoqëri demokratike, qeveria është pajtuar me konstatimin e Dhomës se gjykatat e brendshme kishin arritur një ekuilibër të drejtë midis interesave konkurruese në rrezik. Ata vunë në dukje se anëtarët e mediave ishin në gjendje të raportonin dhe fotografonin ngjarjen lirshëm deri në fund të saj, madje edhe në njëdistancë
shumë të afërt me policinë. Ka pasur edhe një zonë të veçantë për përfaqësuesit e medias. Megjithatë, përshkallëzimi i dhunës në Smash ASEM ishte shoqëruar me mbërritjen e automjeteve të shumta të policisë, disa prej të cilave mund të kenë bllokuar shikimin nga zona e sigurisë drejt vendit të ngjarjes. Është e pakundërshtueshme se kërkuesi ka dëgjuar personalisht urdhrat e policisë për t’u shpërndarë në 8.30 të darkës dhe se ai ka parë njerëz të shkojnë drejt daljes. Rreth orës 9 të darkës, kur policia dha urdhrin përfundimtar për t’i shpërndarë, ka pasur dy fotografë të tjerë në vendin e ngjarjes, por ata ishin larguar nga vendi i ngjarjes rreth orës 9.15 të darkës. Asnjë masë nuk ishte marrë në asnjë moment ndaj tyre. Urdhrat e policisë ishin dhënë për të qetësuar situatën, për të rivendosur rendin publik dhe në veçanti për të garantuar sigurinë publike. Kur në 9.15 të darkës policia urdhëroi kërkuesin të largohej nga vendi i ngjarjes, ai refuzoi ta bëjë këtë, duke deklaruar se si fotograf, ai nuk “prekej” nga ky urdhër. Në atë moment, anëtarët e turmës që kishin treguar rezistencë ishin ndalur dhe ngjarja kishte përfunduar. Disa minuta më vonë policia kapi
kërkuesin duke qenë se ishte e qartë se ai ishte i vendosur të mos i bindej policisë. Duke qenë se kërkuesi ishte konsultuar me eprorin e tij me telefon, nëse duhej të qëndrojë apo të largohet, kjo do të thotë se ai e kishte kuptuar qartë se urdhrat e policisë duhet të zbatoheshin edhe prej tij. Gjithashtu, Gjykata e Qarkut deklaroi se dihej qartësisht që urdhrat e policisë kishin të bënin me këdo, prandaj arrestimi i kërkuesit nuk mund të ketë qenë surprizë për të.
77. Qeveria vuri në dukje se qëllimi i arrestimit të kërkuesit, nuk ishte për të penguar lirinë e tij të shprehjes, por për të hetuar veprën të cilën ai dyshohej se kishte kryer. Ai ishte në gjendje të përdorte të gjitha fotografitë që kishte kryer në ngjarje. Në këtë mënyrë, kapja dhe ndalimi i kërkuesit ishin të justifikueshme, të nevojshme dhe proporcionale, duke qenë se policia kishte reaguar ndaj një demonstrate të dhunshme, për të cilën ka ekzistuar rrezik për dhunë të mëtejshme dhe përçarje. Pra, ndërhyrja ndaj të dyshuarit ishte e nevojshme në një shoqëri demokratike.
78. Qeveria theksoi rëndësinë e trajtimit të barabartë dhe barazisë para ligjit, siç garantohet në përputhje me Kushtetutën e Finlandës dhe Nenin 14 të Konventës. Ajo pohoi se kërkuesi nuk kishte të drejtë të trajtohej në mënyrë preferenciale, ose të ndryshme në krahasim me anëtarët e tjerë të turmës së pranishme në vendngjarje gjatë demonstrimit. Urdhrat e policisë ishin dhënë pa diskriminim për statusin, apo profesionin dhe kishin qëllim parandalimin e veprimtarisë profesionale të kërkuesit. Qëllimi i policisë ishte qetësimi i situatës dhe rivendosja e rendit publik. Për më tepër, Gjykata e Qarkut ka vendosur se kërkuesi nuk i kishte treguar policit që e arrestoi, ose policit në stacionin e policisë distinktivin e tij të gazetarit. Ai e tregoi atë vetëm në autobusin që e dërgoi në stacionin e policisë. Vetë kërkuesi shkroi në artikullin kushtuar kësaj ngjarje se kishte vënë distinktivin e tij në mënyrë të dukshme vetëm pasi ishte arrestuar. Prandaj, liria që i është dhënë shtetit në vlerësimin e proporcionalitetit të masave që pretendohet se shkelin të drejtën e kërkuesit për lirinë e shprehjes, në të vërtetë nuk është prekur, sepse kërkuesi nuk kishte bërë përpjekje të qarta për të identifikuar veten e tij si gazetar.
79. Së fundi, Qeveria argumentoi se nuk ka “efekt frikësues” lidhur me rastin në fjalë. Kërkuesi nuk ishte arrestuar dhe dënuar për aktivitetin e tij si gazetar, por për mosbindje ndaj urdhrave të qarta të policisë. Disa gazetarë të tjerë të pranishëm në këtë ngjarje nuk kishin zgjedhur të mos i bindeshin policisë. Nuk u vendosën sanksione mbi kërkuesin, pasi
Gjykata e Qarkut i ka konsideruar veprimet e tij të krahasueshme me “një akt të falshëm”. Ai nuk u urdhërua të paguajë shpenzimet ligjore.

C. Vlerësimi i Gjykatës
1. Fusha e veprimit të çështjes para Dhomës së Madhe
80. Në parashtrimet e tij me shkrim në Dhomën e Madhe, kërkuesi pretendoi se ndalimi i tijishte i paligjshëm, pasi kishte zgjatur gjatë gjithë natës dhe për rreth 18 orë. Ai pohoi se, meqë policia nuk kishte parakushte të mjaftueshme për arrestimin, ai duhet të ishte liruar e shumta brenda 12 orëve pas arrestimit. Për këtë arsye paraburgimi i tij, i cili i kaloi 12 orë nuk ishte i “parashikuar me ligj” (shih paragrafin 66 më lart). Qeveria nuk ka komentuar mbi këtë kërkesë.
81. Sipas jurisprudencës së Gjykatës, “rasti” i referuar Dhomës së Madhe është kërkimi siç është deklaruar i pranueshëm nga Dhoma (shih, midis autoriteteve të tjera, K. dhe T. k. Finlandës [GC], nr. 25702/94, § 141, GJEDNJ 2001 VII). Kërkuesi depozitoi për herë të parë në parashtresat e tij në Dhomën e Madhe, kërkesën se ndalimi i tij ishte i paligjshëm, duke qenë se ai ka tejkaluar 12 orë. Dhoma, kur shqyrton nevojën e ndërhyrjes në të drejtën e kërkuesit sipas nenit 10, ka mbajtur parasysh argumentin e Qeverisë, se kohëzgjatja e paraburgimit të kërkuesit prej rreth 18 orësh u shpjegua me faktin se ai ishte arrestuar natën vonë dhe se ligji i brendshëm ndalonte marrjen në pyetje nga ora 10 e mbrëmjes deri në orën 7 të mëngjesit (shih paragrafin 48 të vendimit të Dhomës). Megjithatë, kërkuesi nuk ishte ankuar para Dhomës se ndalimi i tij për një kohëzgjatje që tejkalon 12 orë ishte i paligjshëm. Kjo kërkesë nuk është pjesë e aplikimit, që është shpallur i pranueshëm nga Dhoma, dhe për këtë arsye është jashtë fushës së shqyrtimit nga ana e Dhomës së Madhe. Gjykata, pra, do të kufizohet në shqyrtimin e ankesës së kërkuesit që është shpallur e
pranueshme nga Dhoma, domethënë nëse paraburgimi dhe dënimi i tij kanë shkaktuar një ndërhyrje të pajustifikuar në të drejtën e lirisë së shprehjes, siç garantohet në 10 të Konventës.
2. Nëse ka pasur një ndërhyrje
82. Qeveria, deklaroi fillimisht se nuk ka pasur ndërhyrje në këtë çështje në të drejtën e kërkuesit për lirinë e shprehjes.
83. Kërkuesi u kap nga policia në kuadër të një demonstrate, u ndalua për rreth 18 orë, dhe u akuzua e u shpall fajtor nga gjykatat e brendshme për mosbindje ndaj policisë. Megjithatë, asnjë dënim nuk ju dha, meqë vepra është konsideruar si “një akt i falshëm”. Edhe pse masat nuk drejtoheshin kundrejt kërkuesit si gazetar, por ishin pasojë e mosbindjes së tij ndaj urdhrave të policisë për t’u shpërndarë, të drejtuara ndaj të gjithë të pranishmëve në zonën e rrethuar, ushtrimi i funksioneve të tij gazetareske ishte prekur negativisht, pasi ai ishte i pranishëm në vendin e ngjarjes si fotograf gazete për të raportuar mbi ngjarjen. Prandaj, Gjykata pranon se ka pasur një ndërhyrje në të drejtën e tij për lirinë e shprehjes (shih, mutatis mutandis, GSELL k. Zvicrës, nr. 12675/05, § 49, 8 tetor 2009). 3. Nëse ndërhyrja është parashikuar me ligj
84. Gjykata vëren se shprehja “parashikuar me ligj” sipas kuptimit të nenit 10 § 2 të Konventës kërkon jo vetëm që masa e kundërshtuar duhet të ketë një bazë ligjore në ligjin ebrendshëm, por edhe që i referohet cilësisë së ligjit në fjalë, i cili duhet të jetë në dispozicion të personit në fjalë dhe i parashikueshëm për sa i përket efekteve të tij (shih, midis autoriteteve të tjera, Centro Europa 7 Srl dhe Di Stefano kundër Italisë [GC], nr 38433/09, § 140, GJEDNJ 2012;.. dhe Rotaru k.Rumanisë [GC], nr. 28341/95, § 52, GJEDNJ 2000-V).
85. Palët nuk bien dakord nëse ndërhyrja është apo jo e “parashikuar me ligj”: Gjykata deklaron se argumenti kryesor i kërkuesit ka të bëjë me paligjshmërinë e pretenduar të
ndalimit të tij për më shumë se 12 orë, çështje e cila bie jashtë fushëveprimit të rastit para Dhomës së Madhe (shih paragrafin 81 më lart). Për pjesën tjetër, duket nga parashtresat e kërkuesit se ai nuk pretendon se ndalimi, paraburgimi dhe dënimi i tij nuk kanë bazë ligjore në ligjin finlandez, por më tepër se si në rastin e tij janë aplikuar dispozitat përkatëse të ligjit të brendshëm nga autoritetet kombëtare dhe gjykatat. Megjithatë, është detyrë e autoriteteve kombëtare, kryesisht e gjykatave, të interpretojnë dhe të zbatojnë ligjin e brendshëm (shih Kopp kundër Zvicrës, 25 mars 1998, § 59, Raportet e Gjykimeve dhe Vendimeve 1998-II,. Dhe Kruslin k. Francës, 24. prill 1990, drejtuar § 29, Seria A nr. 176-A). Asnjë nga argumentet e kërkuesit nuk shfaq ndonjë tregues se autoritetet vendase e kanë zbatuar ligjin në mënyrë arbitrare. Për këtë arsye, Gjykata është e bindur se ndërhyrja që përfshin, paraburgimin kishte bazë ligjore në ligjin finlandez, përkatësisht në nenin 19 të Ligjit të Policisë, në Kapitullin 1, neni 2, pika 2 e Ligjit të masave shtrënguese dhe në Kapitullin 16, neni 4, të Kodit Penal. Prandaj, Gjykata konkludon se ndërhyrja ishte e “parashikuar me ligj”. 4. Nëse ndërhyrja ka ndjekur një qëllim legjitim
86. Nuk është kundërshtuar se ndërhyrja ka ndjekur disa qëllime legjitime brenda kuptimit të nenit 10 § 2 të Konventës, përkatësisht mbrojtjen e sigurisë publike dhe parandalimin e trazirave e të krimeve. 5. Nëse ndërhyrja ishte e nevojshme në një shoqëri demokratike (a) Parimet e përgjithshme
87. Parimet e përgjithshme në lidhje me domosdoshmërinë e një ndërhyrje me lirinë e shprehjes janë përmbledhur në Stoll k. Zvicrës [GC] (nr. 69698/01, § 101, GJEDNJ 2007 V)dhe janë përsëritur më shumë kohët e fundit në Animal Defenders International k. Mbretërisë së Bashkuar [GC], nr. 48876/08, § 100, GJEDNJ 2013 (ekstrakte) dhe Morice k.
Francës [GC], nr. 29369/10, § 124, 23 prill 2015: “(i) Liria e shprehjes përbën një nga themelet bazë të një shoqërie demokratike, një nga kushtet bazë për progresin e saj dhe për vetë përmbushjen e çdo individi. Në pajtim me paragrafin 2 të nenit 10, ajo është e aplikueshme jo vetëm për “informacionet” ose “idetë’ që janë marrë në mënyrë të favorshme, ose që konsiderohen si të padëmshme, apo si çështje indiference, por edhe për ata që fyejnë, shkaktojnë tronditje, apo shqetësim. Të tilla janë kërkesat për pluralizëm, tolerancë dhe largpamësi, pa të cilat nuk ka “shoqëri demokratike”. Siç përcaktohet në nenin 10, kjo liri është subjekt i përjashtimeve, të cilat … duhet, megjithatë, të interpretohen në mënyrë rigoroze, dhe nevoja për çdo kufizim duhet të vendoset në
mënyrë bindëse…(ii) Ndajfolja “e nevojshme”, sipas kuptimit të nenit 10 § 2, nënkupton ekzistencën e një “nevoje të ngutshme sociale”. Shtetet kontraktuese kanë një hapësirë të caktuar vlerësimi për të përcaktuar nëse ekziston një nevojë e tillë, por ajo shkon paralelisht me mbikëqyrjen evropiane, që përfshin legjislacionin dhe vendimet që e aplikojnë atë, madje edhe ato të dhëna nga një gjykatë e pavarur. Prandaj, Gjykata është e autorizuar të japë vendimin përfundimtar nëse një “kufizim” është i pajtueshëm me
lirinë e shprehjes, siç mbrohet nga Neni 10. (iii) Detyra e Gjykatës, në ushtrimin e juridiksionit të saj mbikëqyrës, nuk është të marrë vendin e autoriteteve kompetente kombëtare, por të rishikojë vendimet që jepen në përputhje me fuqinë e saj të vlerësimit në bazë të nenit 10. Kjo nuk do të thotë se mbikëqyrja është e kufizuar në konstatimin nëse shteti i paditur ka ushtruar diskrecionin në mënyrë të arsyeshme, me kujdes dhe në mirëbesim; ajo që Gjykata duhet të bëjë është të shikojë ndërhyrjen në thelbin e çështjes, në tërësi dhe të përcaktojë nëse ajo ishte “në proporcion me qëllimin legjitim të ndjekur”, dhe nëse arsyet e dhëna nga autoritetet kombëtare për ta justifikuar atë janë “të përshtatshme dhe të mjaftueshme”…. në këtë mënyrë, Gjykata duhet të sigurohet se
autoritetet kombëtare kanë aplikuar standarde të cilat janë në përputhje me parimet e përcaktuara në nenin 10 dhe, për më tepër, se ata u mbështetën në një vlerësim të pranueshëm të fakteve përkatëse …. ” Kjo mbrojtje e garantuar nga neni 10 shtrihet jo vetëm në thelbin e ideve dhe informacionit të shprehur, por edhe në formën në të cilën ato shprehen (Jersild k. Danimarkës, 23 shtator1994, § 31, Seria A nr. 298).
88. Më tej, Gjykata thekson funksionin themelor që përmbushin mediat në një shoqëri demokratike. Edhe pse ato nuk duhet të kalojnë disa kufij të caktuar, detyra e tyre është gjithsesi të japin, në përputhje me detyrimet dhe përgjegjësitë e tyre, informacion dhe ide në të gjitha çështjet me interes publik (shih Bladet Tromso dhe Stensaas k. Norvegjisë [GC], nr. 21980/93, § 59, GJEDNJ 1999 deri në III,. De Haes dhe Gijsels k. Belgjikës, 24 shkurt 1997 § 37, Raportet e Gjykimeve dhe vendimeve 1997,. dhe Jersid k. Danimarkës, cituar më lart, § 31). Jo vetëm që mediat kanë për detyrë dhënien e informacionit dhe ideve të tilla, por edhe publiku ka të drejtë t’i marrë ato (shih Sunday Times k. Mbretërisë së Bashkuar (nr.1), 26 prill 1979 § 65, Seria A nr. 30).
89. Në lidhje me këtë, (dhe duke iu referuar fakteve të rastit konkret,) duhet të theksohet roli vendimtar i mediave në sigurimin e informacionit mbi menaxhimin e demonstratave publike nga autoritetet dhe kontrolli i trazirave. Roli “watch-dog” (mbikëqyrës) i medias merr rëndësi të veçantë në kontekste të tilla, pasi prania e tyre është garanci që autoritetet mund të mbajnë përgjegjësi për sjelljen e tyre përkundrejt demonstruesve dhe publikut, kur është fjala për policinë e tubimeve të mëdha, duke përfshirë edhe metodat e përdorura për të kontrolluar ose shpërndarë protestuesit, ose për të ruajtur rendin publik. Pra, çdo përpjekje për të hequr gazetarët nga skena e demonstratave duhet të jenë subjekt i shqyrtimit të rreptë.
90. Gjykata, po ashtu thekson se mbrojtja e ofruar për gazetarët nga Neni 10 i Konventës kushtëzohet nga veprimi i tyre në mirëbesim për të siguruar informacion të saktë dhe të besueshëm, në përputhje me parimet e gazetarisë së përgjegjshme (shih, mutatis mutandis, Bladet Tromsø dhe Stensaas k. Norvegjisë [GC], cituar më lart, § 65;.. Fressoz dhe Roire k. Francës [GC], nr. 29183/95, § 54, GJEDNJ 1999 I. Kasabova kundër Bullgarisë, nr. 22385/03,§§ 61 dhe 63-68, 19 prill 2011; dhe Times Newspapers Ltd k. Mbretërisë së Bashkuar (nr. 1 dhe 2.), nr. 3002/03 dhe 23676/03, § 42, GJEDNJ 2009)… Në jurisprudencën e Gjykatës, koncepti i gazetarisë së përgjegjshme, deri më tani është fokusuar kryesisht në çështjet që kanë të bëjnë me përmbajtjen e publikimit, apo me deklaratat verbale (shih, për shembull, Bladet Tromsø dhe Stensaas k. Norvegjisë [GC], cituar më lart, §§ 65-67,. Fressoz dhe Roire kundër Francës [GC], cituar më lart, §§ 52-55;. Krone Verlag GmbH k. Austrisë, nr. 27306/07, §§ 46-47, 19 qershor 2012;. Novaya Gazeta dhe Borodyanskiy kundër Rusisë, nr. 14087/08, § 37, 28 mars 2013;.. Perna k. Italisë [GC], nr. 48898/99, § 47, GJEDNJ 2003 V; Times Newspapers Ltd kundër Mbretërisë së Bashkuar (nr. 1 dhe 2), cituar më lart, § 45;.. Ungváry dhe Irodalom Kft k. Hungarisë, nuk 64520/10, § 42, 3 Dhjetor 2013, dhe Jordanova dhe Toshev kundër Bullgarisë, nr. 5126/05, §§ 53.. dhe 55, 2 tetor 2012) në vend të sjelljes publike të një gazetari. Megjithatë, koncepti i gazetarisë së përgjegjshme, si një aktivitet profesional i cili gëzon mbrojtjen e nenit 10 të Konventës, nuk është i kufizuar në përmbajtjen e informacionit që është mbledhur dhe/ose shpërndarë me mjete gazetareske. Ky koncept gjithashtu përfshin, ndër të tjera, ligjshmërinë e sjelljes së një gazetari, duke përfshirë, ndërveprimin e tij publik me autoritetet gjatë ushtrimit të funksioneve të gazetarisë. Fakti që një gazetar ka shkelur
ligjin është më i rëndësishëm, edhe pse jo vendimtar, për të përcaktuar nëse ai ose ajo ka vepruar në mënyrë të përgjegjshme.
91. Gjykata thekson në këtë kontekst, se gazetarët të cilët ushtrojnë lirinë e tyre të shprehjes marrin përsipër “detyrat dhe përgjegjësitë” (shih Stoll k. Zvicrës [GC], cituar më lart, § 102;.. dhe Handyside kundër Mbretërisë së Bashkuar, 7 dhjetor 1976 § 49, Seria A nr. 24). Duhet pasur parasysh se paragrafi 2 i nenit 10 nuk garanton një liri të plotë të pakufizuar të shprehjes edhe kur bëhet fjalë për mbulimin mediatik të çështjeve me interes publik. Në mënyrë të veçantë dhe pavarësisht rolit jetësor që luan media në një shoqëri demokratike, gazetarët në parim nuk mund të lirohen nga detyrimi i tyre për t’iu bindur ligjit penal mbi bazën se, si gazetarë, Neni 10 i mundëson atyre një mbrojtje “të hekurt” (shih, midis autoriteteve të tjera, mutatis mutandis, Stoll kundër Zvicrës [GC], cituar më lart, §102;.. Bladet Tromso dhe Stensaas k. Norvegjisë [GC], cituar më lart, § 65, dhe Monnat k Zvicër, 73604/01, § 66, GJEDNJ 2006- X). Me fjalë të tjera, një gazetar nuk mund të pretendojë një imunitet ekskluziv nga përgjegjësia penale për të vetmen arsye se, ndryshe nga individë të tjerë që ushtrojnë të drejtën e lirisë së shprehjes, vepra në fjalë është kryer
gjatë ushtrimit të funksioneve të tij ose të saj gazetareske. (b) Zbatimi i parimeve të përgjithshme për rastin e kërkuesit.
92. Gjykata vëren se kërkuesi u arrestua, akuzua dhe u shpall fajtor, sepse nuk iu bind policisë. Ndalimi i tij u bë në kuadër të demonstratës Smash ASEM, në të cilën ai kishte marrë pjesë si fotograf dhe gazetar për revistën javore Suomen Kuvalehti. Sigurisht që demonstrata tërhoqi vëmendje të konsiderueshme të medias.
93. Në ndryshim nga shumë raste të tjera të sjella nga gazetarët në bazë të nenit 10 të Konventës, duke përfshirë Stoll dhe raste të tjera të referuara në paragrafët 87-91 më lart, në rastin aktual nuk është bërë asnjë ndalim i publikimit (bërja publike e informacioneve të caktuara) e nuk është marrë asnjë sanksion në lidhje me ndonjë botim. Në rastin në fjalë diskutohen masat e marra kundër një gazetari, i cili nuk iu bind urdhrave të policisë, ndërsa ishte duke bërë fotografi me qëllim raportimin e një demonstrate që ishte kthyer në të dhunshme.
94. Gjatë vlerësimit, nëse masat e marra kundër kërkuesit nga autoritetet finlandeze ishin të nevojshme, gjykata do të ketë parasysh që interesat që do të peshohen në këtë rast janë të dyja me natyrë publike, pra interesi i policisë në ruajtjen e rendit publik në kontekstin e një demonstrimi të dhunshëm dhe interesi i publikut për të marrë informacion mbi një çështje me interes të përgjithshëm (shih, mutatis mutandis, Stoll k. Zvicrës [GC], cituar më lart, §§ 115-116). Ajo do të shqyrtojë arrestimin, akuzimin dhe shpalljen fajtor të kërkuesit për të përcaktuar nëse ndërhyrja e kundërshtuar, e parë si një e tërë, u mbështet mbi shkaqe të arsyeshme, të mjaftueshme dhe ishte në proporcion me qëllimet legjitime të ndjekura. (i) Arrestimi i kërkuesit
95. Lidhur me arrestimin e kërkuesit, Gjykata do t’i kushtojnë vëmendje faktit nëse urdhrat e policisë janë bazuar në një vlerësim të arsyeshëm të fakteve dhe nëse kërkuesi ishte në gjendje të raportonte në demonstratë. Ajo, gjithashtu do të ketë parasysh sjelljen e kërkuesit, duke përfshirë edhe nëse ai e identifikoi veten si gazetar.
96. Kur demonstrata filloi, një grup kryesor prej rreth 50 demonstruesish, 500 kalimtarësh dhe 50 gazetarësh, përfshirë kërkuesin ishin mbledhur në pikën e nisjes së marshimit. Teksa demonstrata u bë e dhunshme, policia së pari pengoi turmën të marshonte, por lejoi të mbahej një demonstrim paqësor. Më vonë policia mbylli zonën e demonstrimit dhe
urdhëroi turmën të shpërndahej. Policia ka bërë përgatitjet e sigurisë për ngjarjen, duke vendosur 480 policë dhe roje kufitare. Policia kishte arsye të argumentuara për të besuar,
në bazë të vlerësimit të rrezikut të bërë nga Inteligjenca e Sigurisë finlandeze dhe përvoja e tyre e mëparshme e trazirave që kishin ndodhur në të njëjtin vit, si dhe të tonit të posterave që ftonin pjesëtarët e tjerë të publikut të “krijonin edhe pak çrregullim në rrugët e Helsinkit”, dhe anonimitetin e organizatorit të tubimit (shih paragrafët 12-16 më lart), se kjo e fundit mund të kthehej në një demonstratë të dhunshme. Më pas Gjykata e Qarkut ka deklaruar se veprimet e policisë kanë qenë të ligjshme, dhe se policia kishte pasur shkaqe të arsyeshme për të dhënë urdhra për të shpërndarë demonstratën (shih paragrafin 37 më lart). Prandaj, Gjykata nuk sheh ndonjë arsye për të dyshuar se urdhrat e policisë nuk janë bazuar në një vlerësim të arsyeshëm të fakteve. Për më tepër, sipas këndvështrimit të Gjykatës, masat parandaluese kundër mundësisë së kthimit të ngjarjeve në të dhunshme, duke përfshirë urdhrat e policisë për t’u larguar nga vendi i ngjarjes së demonstratës, janë të justifikuara. Masat ishin drejtuar jo vetëm në mbrojtjen “abstrakte” të rendit publik mbrojtjen e sigurisë publike, si dhe parandalimin e trazirave dhe të krimit por edhe në sigurinë e personave në demonstratë ose në afërsi të saj, duke përfshirë anëtarët e medias dhe kështu edhe vetë kërkuesin.
97. Gjykata tani do të shqyrtojë nëse kërkuesi është penguar në ushtrimin e profesionit të tij si gazetar, gjatë ngjarjes Smash ASEM. Palët nuk u ranë dakord nëse ka ekzistuar një zonë e sigurt për shtyp. Duket, megjithatë, se shumica e gazetarëve, rreth pesëdhjetë prej tyre në fillim të demonstratës, mbetën në zonën e demonstrimit. Atyre dhe kërkuesit, në asnjë moment të ngjarjeve nuk u ishte kërkuar nga autoritetet të përdornin një zonë të veçantë, të rezervuar për shtypin. Për më tepër, demonstrimi ishte i një karakteri të tillë i parashikuar fillimisht si një marshim përgjatë rrugës që ngjarjet e dhunshme, në fakt kanë ndodhur në një zonë të “paparashikuar”. Në një situatë të tillë nuk ka pasur mundësi për autoritetet të siguronin paraprakisht një zonë në afërsi të ngjarjeve të tilla. Si pasojë, kjo nuk është vendimtare për Gjykatën, nëse një zonë e tillë e sigurt ka ekzistuar, duke qenë se të gjithë gazetarët duket se kanë qenë në zonën e demonstrimit dhe mund të punonin lirisht atje. Megjithatë nuk mund të thuhet se kërkuesi u pengua në raportimin e ngjarjes. Përkundrazi, ai ishte në gjendje të bënte fotografi gjatë gjithë demonstratës, deri në momentin që u kap. Kjo shihet qartë, për shembull, nga regjistrimet e bëra gjatë demonstrimit, si dhe nga fakti se fotografia e fundit e marrë nga kërkuesi ishte e zyrtarit të policisë që e arrestoi.
98. Duke u rikthyer tani në sjelljen e kërkuesit, Gjykata deklaron se ai u kap në zonën e rrethuar, ku ishte së bashku me grupin kryesor të demonstruesve të cilët mbanin krahët e njëri tjetrit. Duket nga regjistrimet DVD se kërkuesi ishte veshur me veshje të errët, e cila korrespondonte me atë të kërkuar nga “kodi i veshjes” për demonstruesit. Ai nuk kishte veshur ndonjë veshje të veçantë, apo kishte shenja të tjera që e identifikonin si gazetar. Ai nuk kishte veshur, për shembull, një jelek ose xhaketë të verdhë ashtu si disa nga kolegët e tij gazetarë. As nuk ka pasur ndonjë shenjë, për shembull, në kamerën që kërkuesi po përdorte për të treguar se ai punonte për Suomen Kuvalehti. As distinktivi i tij i gazetarit nuk dukej në regjistrimet DVD, ose në ndonjë nga fotografitë ku shfaqet kërkuesi. Kësisoj, shfaqja e kërkuesit nuk kishte diçka të dukshme për ta lejuar atë të ishte qartësisht i dallueshëm nga protestuesit. Prandaj, në bazë të pranisë brenda zonës së rrethuar dhe paraqitjes së tij, ai, para arrestimit nuk ishte lehtësisht i identifikueshëm si gazetar.
99. Gjithashtu, nga vendimi i Gjykatës së Rrethit dhe materialeve të tjera në dosjen e çështjes mbetet i paqartë fakti se kundrejt cilëve policë kërkuesi e identifikoi veten si një gazetar. Nga raporti i hetimeve paraprake evidentohet se ku është oficeri i cili kishte bërë ndalimin e kërkuesit, dhe që ka deklaruar gjatë hetimeve paraprake se kërkuesi nuk ka bërë rezistencë gjatë arrestimit, por i kishte kërkuar të bënte një telefonatë, e cila u lejua të bëhej. Kur oficeri i policisë i kishte kërkuar atij të identifikohej, kërkuesi kishte paraqitur kartën e tij të gazetarit (shih paragrafin 27 më lart). Nga kjo mund të konkludohet se kërkuesi nuk ishte i veshur me distinktivin e tij të gazetarit, ose të paktën nuk e kishte të veshur atë në mënyrë të dukshme që ai të mund të identifikohej menjëherë si gazetar. Një polic i pranishëm gjatë arrestimit të kërkuesit, ka deklaruar gjatë hetimeve paraprake se kërkuesi nuk i ka bërë rezistencë arrestimit, por as nuk e ka dëgjuar të identifikojë veten si gazetar (shih paragrafin 27 më lart). Nga ana tjetër, nuk është përcaktuar nëse kërkuesi e identifikoi veten si gazetar edhe kur ai u dërgua në autobus dhe po merrej në paraburgim. Megjithatë, Gjykata është e bindur se policia duhet të ketë mësuar statusin e tij si gazetar më të shumtën në stacionin e policisë, kur polici kishte marrë kartën e gazetarit të kërkuesit,
të cilën në bazë të parashtresave të vetë kërkuesit, ky i fundit e kishte “ngritur” dhe veshur në mënyrë të dukshme në gjoksin e tij vetëm pak kohë më parë (shih paragrafin 28 më lart). Mbi bazën e këtij informacioni, Gjykata konsideron se, nëse kërkuesi dëshironte të identifikohej si gazetar nga policia, ai duhet të bënte përpjekje mjaftueshmërisht të qarta për të identifikuar veten si të tillë, ose duke veshur veshje të dallueshme, ose duke mbajtur të dukshëm në çdo kohë distinktivin e gazetarit, ose me ndonjë mjet tjetër të përshtatshëm. Ai nuk arriti ta bëjë këtë. Kështu gjendja e kërkuesit ishte e ndryshme nga ajo e gazetarit në rastin Najafli k. Azerbaxhanit, i cili ishte i veshur me distinktivin e gazetarit në gjoksin e tij dhe gjithashtu i kishte thënë në mënyrë specifike policit se ishte gazetar (shih Najafli k. Azerbaxhanit, jo 2594. / 07, § 67, 2 tetor 2012; shih gjithashtu, mutatis mutandis, Gsell kundër Zvicrës, cituar më lart, § 49).100. Për më tepër, kërkuesi pretendoi se ai nuk ishte në dijeni të urdhrave të policisë për t’u shpërndarë. Gjykata deklaron se Gjykata e Qarkut e kishte marrë si të mirëqenë se kërkuesi kishte qenë në dijeni të urdhrave të policisë për të lënë vendin e ngjarjes, por kishte vendosur t’i injoronte ato (shih paragrafin 37 më lart). Kërkuesi ka pranuar vetë para Gjykatës së Qarkut dhe në parashtresat e tij në këtë Gjykatë, se ai i kishte dëgjuar urdhrat rreth orës 8.30 të darkës (shih paragrafët 24 dhe 37 më lart). Kjo konfirmohet edhe nga fakti se kërkuesi më pas telefonoi punëdhënësin e tij për të diskutuar nëse ai duhet të largohej apo jo nga zona (shih paragrafin 24 më lart). Për Gjykatën, ky fakt tregon se kërkuesi kuptoi, ose të paktën mendoi, se urdhri duhet të zbatohej edhe nga ai. Përveç kësaj, kërkuesi pranoi në parashtresat e tij para Gjykatës se rreth gjysmë ore më vonë, atij iu kërkua personalisht nga një oficer i policisë të largohej, por ai iu përgjigj se kishte vendosur të qëndrojë (shih paragrafin 25 më lart). Ky pranim është në kundërshtim të hapur me pretendimin e kërkuesit, se ai nuk ishte në dijeni të urdhrave të policisë për t’u shpërndarë. Kërkuesi, në mënyrë të qartë e dinte se çfarë po bënte dhe nuk mund të pranohet se ai nuk ishte në dijeni të urdhrave të policisë. Për më tepër, si gazetar raportues mbi veprimet e policisë, ai duhej të ishte i vetëdijshëm për pasojat ligjore, të cilat mund të sillte mosbindja ndaj urdhrave të policisë. Prandaj, Gjykatës nuk i mbetet gjë tjetër veçse të konstatojë se, duke mos iu bindur urdhrave të dhëna nga policia, kërkuesi e mori me vetëdije përsipër rrezikun e ndalimit për mosbindje ndaj policisë.
101. Gjykata, gjithashtu deklaron si të rëndësishëm faktin që të gjithë gazetarët e tjerë, përveç kërkuesit iu bindën urdhrave të policisë. I fundit prej tyre u largua nga zona, pasi dëgjoi paralajmërimin e fundit, i cili tregoi qartë se nëse personat e pranishëm ende nuk ishin shpërndarë, do të arrestoheshin. Siç dëshmohet nga gazetari i larguar i fundit, gjatë procedurës në Gjykatën e Qarkut, ai bëri fotografinë e tij të fundit në 9.15 të darkës dhe u largua nga zona vetëm 2 deri në 3 minuta para arrestimit të kërkuesit. Nuk është marrë në asnjë moment, asnjë masë ndaj këtyre gazetarëve (shih paragrafin 37 më lart). Kërkuesi mund të largohej në çdo kohë nga vendi, pa asnjë pasojë dhe të zhvendosej jashtë kordonit policor. Për më tepër, asgjë në dosjen e çështjes nuk sugjeronte se në qoftë se kërkuesi do t’i ishte bindur urdhrit të dhënë nga policia për t’u larguar nga zona e rrethuar, nuk mund të vazhdonte të ushtronte detyrën e tij si profesionist në afërsi të zonës së rrethuar, pasi siç ndodhi më vonë, policia shpërndau turmën e demonstruesve dhe kapi protestuesit.(ii) Paraburgimi i kërkuesit
102. Kërkuesi u mbajt në paraburgim për 17,5 orë. Siç ka deklaruar më parë Gjykata, çështja e paligjshmërisë së paraburgimit që i kalon 12 orë, e pretenduar nga kërkuesi bie jashtë fushëveprimit të shqyrtimit nga ana e Dhomës së Madhe (shih paragrafin 81 më lart). Përveç kësaj, kërkuesi pretendoi se ai duhet të merrej në pyetje dhe të lirohej shpejt.
103. Qeveria pohoi se kohëzgjatja e paraburgimit të kërkuesit u shpjegua kryesisht me faktin se ai ishte arrestuar natën vonë dhe se ligji i brendshëm ndalonte marrjen në pyetje midis 10 të mbrëmjes dhe 7 të mëngjesit. Ligji i brendshëm ka parashikuar përjashtime nga ky rregull në nenin 24, paragrafi 2, i Ligjit për Hetime Penale (shih paragrafin 49 më lart).
Gjykata deklaron se në dosjen e rastit nuk ka informacion nëse kërkuesi kërkoi të merrej në pyetje menjëherë gjatë natës. Kërkuesi nuk ka pretenduar se ai e bëri këtë. Përveç kësaj, 128 persona janë arrestuar dhe paraburgosur për shkak të demonstratës dhe ky fakt mund të ketë vonuar lirimin e kërkuesit. Megjithatë, të nesërmen kërkuesi ishte një nga të parët që u mor në pyetje dhe u lirua për shkak të statusit të tij si gazetar, madje si i paraburgosur ishte marrë në pyetje i shtati dhe doli i gjashti, pas lirimit të të miturve (shih paragrafin 32 më lart) . Ky fakt tregon qartë se si përfaqësues të medias autoritetet policore kanë shfaqur një qëndrim të favorshëm ndaj kërkuesit.
104. Gjykata deklaroi se është e pasigurt nëse telefoni celular, pajisjet kamera dhe kartat e memories së kërkuesit janë inspektuar nga policia. Kërkuesi pretendoi se ato janë inspektuar. Sipas raportit të Ombudsmanit Parlamentar (shih paragrafin 34 më lart), policia kishte kontrolluar përmbajtjen e telefonave e të celularëve të të ndaluarve. Në bazë të dokumentacionit të rastit në fjalë nuk është e qartë nëse u kontrolluan telefoni celular dhe kartat e memories të kërkuesit. Megjithatë, Qeveria pohoi se sapo policia kishte mësuar se kërkuesi ishte anëtar i shtypit, kamera e tij, kartat e memories dhe pajisje të tjera ishin trajtuar menjëherë si burime gazetareske dhe nuk ishin konfiskuar (shih paragrafin 29 më lart). Kërkuesi nuk e ka kundërshtuar këtë pohim.
105. Edhe pse nuk është plotësisht e qartë se si janë trajtuar pas arrestimit kamerat dhe kartat e memories së kërkuesit, Gjykata deklaron se ai nuk ka pretenduar se pajisjet kamera, ose materialet fotografike që iu morën nuk u kthyen të gjitha tek ai e të paprekura. Sipas Gjykatës, pajisjet e kërkuesit nuk janë konfiskuar në asnjë moment, por thjesht janë vendosur mënjanë për kohëzgjatjen e arrestimit të tij, në përputhje me praktikën normale. Për më tepër, kërkuesi është lejuar të mbajë të gjitha fotografitë që kishte marrë. Në asnjë moment nuk janë vendosur kufizime në përdorimin e këtyre fotografive. (iii) Dënimi i kërkuesit
106. Së fundi, në lidhje me dënimin e kërkuesit, Gjykata deklaron se Gjykata e Qarkut e shpalli fajtor kërkuesin për mosbindje ndaj policisë, por nuk dha asnjë dënim duke qenë se vepra është konsideruar si “e justifikueshme”. Ky vendim, më pas u la në fuqi nga Gjykata e Apelit, e cila nuk ka dhënë ndonjë arsye shtesë në vendimin e saj. Në fund, Gjykata Supreme refuzoi apelimin e kërkuesit.
107. Gjykata vlerëson se demonstrata ishte një çështje e interesit legjitim publik, duke pasur parasysh veçanërisht natyrën e saj. Prandaj, media ka pasur për detyrë të japë informacion mbi ngjarjen dhe publiku të drejtën të marrë një informacion të tillë. Kjo është pranuar edhe nga autoritetet dhe prandaj ata kishin bërë përgatitjet për të plotësuar nevojat e mediave. Veprimtaria tërhoqi shumë vëmendjen e mediave dhe u ndoq nga afër. Gjykata, megjithatë deklaron se në pesëdhjetë, apo më shumë gazetarë të pranishëm në vendin e demonstratës, kërkuesi ishte i vetmi që pretendoi se liria e tij e të shprehurit është shkelur në kontekstin e demonstratës.
108. Për më tepër, çdo ndërhyrje në ushtrimin e lirisë së gazetarit ishte e kufizuar, duke pasur parasysh mundësitë e vëna në dispozicion të tij për të mbuluar ngjarjen në mënyrë të përshtatshme. Gjykata edhe një herë thekson se sjellja e shtyrë nga bindja kriminale nuk ishte veprimtaria gazetareske e kërkuesit, si p.sh. ndonjë publikim i bërë prej tij. Ndërsa faza para publikimit bie në fushëveprimin e shqyrtimit të Gjykatës, sipas nenit 10 të Konventës (shih Sunday Times k. Mbretërisë së Bashkuar (nr. 2), 26 nëntor 1991, § 51, Seria A nr. 217) , rasti në fjalë nuk është një sanksion ndaj kërkuesit për kryerjen e kërkimeve gazetareske, se për marrjen e informacionit si i tillë (shih në kontrast Dammann k. Zvicrës, nr. 77551/01, § 52, 25 prill 2006, në lidhje me vendosjen e një gjobe ndaj një gazetari për marrjen e informacionit që ishte objekt i sekretit zyrtar). Dënimi i kërkuesit lidhej vetëm me refuzimine tij ndaj një urdhri të policisë në fund të demonstratës, e cila ishte gjykuar nga policia si një protestë.
109. Gjykata e Qarkut, më pas vlerësoi se policia kishte pasur shkaqe të arsyeshme për të dhënë këto urdhra (shih paragrafin 37 më lart). Ajo pohoi se ishte e nevojshme të shpërndante turmën për shkak të trazirave dhe kërcënimit të sigurisë publike, si dhe të urdhëronte njerëzit të largoheshin. Duke qenë se këto urdhra nuk u zbatuan, policia kishte të drejtë të kapte dhe të arrestonte demonstruesit e pabindur. Ashtu si Qeveria vuri në dukje, fakti që kërkuesi ishte gazetar nuk i jep atij të drejtën të trajtohet në mënyrë preferenciale, ose të ndryshme në krahasim me njerëzit e tjerë të mbetur në vendin e ngjarjes (shih paragrafin 78 më lart). Ky interpretim është mbështetur edhe nga të dhënat në dispozicion të Gjykatës, sipas të cilave legjislacioni i shumicës së shteteve anëtare të Këshillit të Evropës nuk ka efektin e dhënies së ndonjë statusi të veçantë për gazetarët, kur ata nuk i binden urdhrave të policisë për t’u larguar nga një demonstratë (shih paragrafin 57 më lart).
110. Duket nga të dhënat e çështjes se prokuroria ishte drejtuar kundër të gjithë 86 të pandehurve, të cilët ishin akuzuar për disa lloje veprash penale. Kërkuesi argumentoi se prokurori mund dhe duhet të hidhte poshtë akuzat ndaj tij, pasi ai ishte duke kryer punën e tij si gazetar. Sipas jurisprudencës së Gjykatës, parimi i ndjekjes penale diskrecionale lë hapësirë të konsiderueshme për manovrim për të vendosur nëse janë ngritur apo jo procedura kundër dikujt që mendohet të ketë kryer një vepër penale (shih mutatis mutandis, Stoll, cituar më lart, § 159). Për më tepër, Gjykata thekson se gazetarët nuk mund të mos i binden ligjit të zakonshëm penal vetëm mbi bazën se neni 10 u mundëson atyre mbrojtje dhe të përjashtohen si rezultat i detyrës së tyre (shih Stoll, cituar më lart, § 102). Megjithatë, Gjykata pranon se gazetarët nganjëherë mund të përballen me konfliktin e detyrimit të përgjithshëm për të respektuar ligjin penal, nga i cili gazetarët nuk janë përjashtuar, dhe detyrës së tyre profesionale për të marrë dhe shpërndarë informacion, duke bërë të mundur që media të luajë rolin e saj thelbësor si mbikëqyrës publik. Në sfondin e këtij konflikti të interesave, duhet të theksohet se koncepti i gazetarisë së përgjegjshme kërkon që sa herë që një gazetar, si dhe punëdhënësi i tij ose i saj, duhet të bëjë një zgjedhje në mes të dy detyrave, dhe në qoftë se ai ose ajo e bën këtë zgjedhje në dëm të detyrimit për të respektuar ligjin penal, gazetari duhet të jetë i vetëdijshëm se ai ose ajo merr përsipër rrezikun e të qenit subjekt i sanksioneve ligjore, duke përfshirë ato me karakter penal, pasi nuk iu bind urdhrave të ligjshëm të policisë.
111. Gjykata e Qarkut ka ngritur pyetjen, nëse kërkuesi si gazetar kishte të drejtën të mos u bindej urdhrave të dhëna atij nga policia. Ajo konstatoi se, në rrethanat e rastit, janë përmbushur kushtet për kufizimin e së drejtës të kërkuesit për lirinë e shprehjes. Në arritjen e këtij përfundimi Gjykata e Qarkut ka përmendur rastin e Dammann (cituar më lart) duke argumentuar se rasti i kërkuesit duhej të dallohet nga ky i fundit. Arsyet e dhëna nga Gjykata e Qarkut për dënimin e kërkuesit për mosbindje ndaj policisë janë të përmbledhura.
Megjithatë, duke pasur parasysh natyrën e veçantë të ndërhyrjes në të drejtën e kërkuesit për lirinë e shprehjes, e cila rrezikonte të cenohej në rastin në fjalë (shih paragrafin 108 më lart), Gjykata është e bindur se këto argumente janë të rëndësishme dhe të mjaftueshme. Për më tepër, Gjykata e Qarkut kur vendosi të mos vendosë asnjë dënim mbi kërkuesin, kishte parasysh konfliktin  e interesit me të cilin përballej ai.
112. Në këtë kontekst, Gjykata rithekson se natyra dhe masa e dënimit janë faktorë të tjerëqë duhet të merren parasysh kur vlerësohet proporcionaliteti i ndërhyrjes (shih Stoll, cituarmë lart, § 153 me referenca të mëtejshme). Në rastin konkret, Gjykata e Qarkut nuk ka dhënë ndonjë dënim ndaj kërkuesit, duke qenë se akti i tij u konsiderua “i justifikueshëm”. Në këtë përfundim u arrit duke marrë parasysh se kërkuesi, si gazetar, ishte ballafaquar me kërkesat kontradiktore, që rrjedhin nga detyrimet e vendosura ndaj tij nga policia nga njëra anë, dhe nga punëdhënësi i tij nga ana tjetër.
113. Në disa raste, fakti i dënimit të një personi mund të jetë më i rëndësishëm se natyra e dënimit të dhënë (shih Stoll, cituar më lart, § 154 me referenca të mëtejshme). Megjithatë, Gjykata në rastin në fjalë, i jep rëndësi faktit që dënimi i kërkuesit nuk pati pasoja të dëmshme materiale për të: duke qenë se nuk u mor asnjë masë, dënimi në përputhje me ligjin e brendshëm, nuk u shtua në të dhënat e tij kriminale (shih paragrafin 53 më lart). Dënimi i kërkuesit u mjaftua vetëm me konstatimin formal të veprës së kryer prej tij dhe, si i tillë, do të ketë shumë pak, për të mos thënë aspak, “efekt frikësues” mbi personat që marrin pjesë në protestë (krahaso dhe dallo, mutatis mutandis, Taranenko k. Rusisë, nr. 19554/05, § 95, 15 maj 2014), apo mbi punën e gazetarëve në përgjithësi (krahaso dhe dallo, Cumpănă dhe Mazare k. Rumanisë [GC], nr. 33348/96, § 116, KEDNJ 2004 XI). Si përfundim, mund të thuhet se dënimi i kërkuesit ishte në proporcion me qëllimet legjitime të ndjekura.
6. Konkluzioni i përgjithshëm
114. Duke pasur parasysh të gjithë faktorët e mësipërm dhe duke marrë parasysh hapësirën e vlerësimit të dhënë shtetit, Gjykata arrin në përfundimin se, në rastin konkret, autoritetet e brendshme i kanë bazuar vendimet e tyre në arsye të përshtatshme, të mjaftueshme dhe në një ekuilibër të drejtë ndërmjet interesave konkurruese. Në mënyrë të qartë evidentohet nga dokumentacioni i çështjes se autoritetet nuk kanë qëllim të parandalojnë, ose të pengojnë median që mbulon demonstratën t’i fshehë publikut veprimet e policisë në lidhje
me demonstratën në përgjithësi, ose të protestuesve në veçanti (shih paragrafin 89). Në të vërtetë, gjatë, ose pas demonstratës, kërkuesi nuk është penguar të kryejë punën e tij si gazetar. Prandaj, Gjykata konkludon se ndërhyrja në të drejtën e kërkuesit për lirinë e shprehjes, mund të thuhet se ka qenë “e nevojshme në një shoqëri demokratike” brenda kuptimit të nenit 10 të Konventës. Gjykata thekson se ky konkluzion duhet të shihet në bazë të rrethanave të veçanta të rastit konkret, duke pasur parasysh nevojën për të shmangur ndonjë dëmtim të rolit të mediave si “roje”.(shih paragrafin 89 më lart).
115. Prandaj, nuk ka pasur shkelje të nenit 10 të Konventës.
PËR KËTO ARSYE, GJYKATA,
Vendos, me trembëdhjetë vota pro kundër katër, se nuk ka pasur shkelje të nenit 10 të Konventës. Hartuar në anglisht dhe frëngjisht, vendosur në seancë publike në Gjykatën Evropiane të Drejtave të Njeriut, Strasburg, më 20 tetor 2015. Lawrence Early (Kancelar), Dean Spielmann (Kryetar)
Në përputhje me nenin 45 § 2 të Konventës dhe Rregullin 74 § 2 të Rregullores së Gjykatës, opinionet e mëposhtme i janë bashkëngjitur këtij vendimi:
(a) mendimin paralel i gjyqtarit Motoç;
(b) mendimi kundërshtues i gjyqtarit Spano bashkë me gjyqtarët Spielmann, Lemmens dhe Dedov.
D.S.
T.L.
OPINION ALTERNATIV I GJYQTARIT MOTOC
Unë mendoj se gjykimi i dhënë në rastin e Pentikäinen k. Finlandës paraqet një vendim të rëndësishëm për shkak të kompleksitetit dhe finesës së arsyetimit të tij. Sipas mendimit tim, vendimi ka çuar përpara të kuptuarin tonë për konceptin e gazetarisë së përgjegjshme. Unë do të doja të ndalem në tri aspekte të ndryshme në këtë opinion, në origjinën e konceptit të gazetarisë së pavarur në jurisprudencën e Gjykatës, proporcionalitetin dhe diferencën e vlerësimit të Shtetit. Gazetaria e përgjegjshme nuk është koncept i ri në jurisprudencën e Gjykatës. Unë e shoh nga këndvështrimi se Gjykata ka ndjekur në mënyrë të qartë, ose të nënkuptuar parimet e etikës së gazetarisë së përcaktuar në Deklaratën e Mynihut. Edhe pse të drejtat e gazetarëve janë të njohura mirë, detyrat e tyre janë më pak të njohura, prandaj do të ishte e dobishme t’i listoja ato:”Deklarata e detyrimeve Detyrat thelbësore të gazetarit në mbledhjen, raportimin dhe komentimin e ngjarjeve konsistojnë në:
1) Respektimin e së vërtetës, pa marrë parasysh se çfarë pasojash mund të sjellë, pasi publiku ka të drejtë të dijë të vërtetën.
2) Mbrojtja e lirisë së informacionit, komenteve dhe kritikave.
3) Publikimi vetëm i pjesëve të tilla të informacionit, origjina e të cilave është e njohur, ose në rastin e kundërt shoqëruar me shkakun; pa cunguar informacionin kryesor dhe pa ndryshuar tekstet dhe dokumentet.
4) Mos përdorimin e metodave jo të drejta për të marrë informacione, fotografi dhe dokumente.
5) Të ndjerit i detyruar të respektojë jetën private të njerëzve.6) Korrigjimin e çfarëdo informacioni të publikuar, i cili është provuar se është i pasaktë.
7) Ruajtjen e sekretit profesional dhe mos zbulimin e burimit të informacioneve të marra në mënyrë konfidenciale.
8) Heqjen dorë nga plagjiatura, shpifja dhe akuza të pabaza, si dhe nga përfitimi i ndonjë avantazhi për shkak të publikimit apo shtypjes së informacionit.
9) Mos ngatërrimin e profesionit të gazetarit me atë të reklamuesit, apo protagonistit dhe mospranimi i asnjë mendimi nga reklamuesit, i drejtpërdrejtë ose jo.
10) Refuzimin e çdo presioni dhe pranimin e udhëzimeve redaktuese vetëm nga personat drejtues të zyrës së redaksisë.
Çdo gazetar, i denjë për këtë emër ndihet i nderuar të respektojë parimet e lartpërmendura; duke njohur ligjin në fuqi në secilin vend, ai e pranon vetëm juridiksionin e kolegëve të tij në çështjet profesionale, të lirë nga ndërhyrjet qeveritare apo ndërhyrje të tjera. ” Këto parime janë pranuar në disa vendimeve të Gjykatës, veçanërisht në Bladet Tromsø dhe Stensaas k. Norvegjisë ([GC], nr. 21980/93, GJEDNJ 1999 deri në III), Fressoz dhe Roire k. Francës ([GC], nr. 29183 / 95, GJEDNJ 1999 I), Kasabova k. Bullgarisë (nr. 22385/03, 19 prill 2011), dhe Times News papers Ltd k. Mbretërisë së Bashkuar (nr. 1 dhe 2) (nr. 3002/03 dhe 23676/03, GJEDNJ 2009).Në këto vendime, Gjykata vuri në dukje parimet e tjera në lidhje me gazetarinë e përgjegjshme, veçanërisht për sa i përket përmbajtjes së publikimit. Arritja kryesore e këtij vendimi është të nxjerrë në pah parimin e gazetarisë së përgjegjshme, në krahasim me sjelljen publike të gazetarëve. Në gjykimin konkret, Gjykata sqaron detyrën e gazetarit në përputhje me ligjin në fuqi, në një kontekst në të cilin nderi i tyre profesional nuk është në rrezik (kjo korrespondon me fundin e Deklaratës së Mynihut). Çështja që po diskutohet këtu është sjellja publike e gazetarëve. Gjykimi thekson dy momente të rëndësishme të këtij parimi, së pari, fakti se gazetarët në bazë të profesionit të tyre nuk mund të pretendojnë asnjë lloj imuniteti nga aplikimi i ligjit penal, dhe së dyti, detyrimi ndaj gazetarëve të cilët kanë dështuar në përputhje me ligjin për të matur me kujdes pasojat e sjelljes së tyre. Parimi i gazetarisë së përgjegjshme është pranuar gjithashtu nga gjykatat e tjera, sidomos nga Gjykata e Lartë e SHBA, ku si pikë referimi është New York Times k. Sullivan, në vazhdën
e të cilave Gjykata ka përcaktuar rregullat të cilat janë transformuar në legjislacionin për shpifje. Një zyrtar publik mund të fitojë një padi për shpifje nëse gjykata vendos se deklarata kundër tij, apo asaj është bërë me “ligësi reale”, se deklarata është bërë me dijeninë dhe falsitetin e saj, ose me mospërfillje të pamatur për faktin nëse ajo është e vërtetë apo e rreme. Zyrtarët publikë nuk mund të kërkojnë dëmshpërblim për publikimin e deklaratave të rreme në lidhje me ta, “me kusht që shtypi të provojë se nuk ka “keqdashje”. Në opinionet e veçanta alternative Z.Hugo, L. Black dhe Z. Justice William O. Douglas nuk u pajtuan me Z. Justice Brennan, për faktin se shtypi nuk duhet të jetë kurrë përgjegjës për shpifje ndaj zyrtarëve. Ata vlerësuan se Amendamenti i Parë ka përcaktuar imunitet absolut për kritikat ndaj mënyrës se si zyrtarët publikë e bëjnë detyrën e tyre publike. Asgjë më shumë sesa imuniteti absolut i gazetarëve nuk do të inkurajonte një “rrezik vdekjeprurës” për shtypin e lirë, duke ndëshkuar dhe në fund shkatërruar kritikat. Bindjet e paraqitura në këtë gjykim nuk janë ndjekur nga gjykatat e tjera të Larta. Në rastin e Grantit kundër Torstar Corp, Gjykata e Lartë Kanadeze deklaroi se duhet të plotësohen dy kushte për mbrojtjen e komunikimit të përgjegjshëm:
(1) Çështja duhet të përfshijë një çështje të interesit publik;  (2) I pandehuri duhet të demonstrojë se ai kishte vepruar në mënyrë të përgjegjshme dhe kishte qenë i zellshëm në përpjekjen për të verifikuar pretendimin, duke pasur parasysh tëgjitha rrethanat përkatëse.
Gjykata Supreme theksoi se për të vlerësuar nëse i pandehuri ka vepruar në mënyrë të përgjegjshme, gjykata duhet të merrte në konsideratë:
(1) seriozitetin e pretendimeve;
(2) rëndësinë publike të çështjes;
(3) urgjencën e çështjes;
(4) statusin dhe besueshmërinë e burimit;
(5) nëse pala e paditur ka raportuar me saktësi;
(6) nëse ishte e arsyeshme përfshirja e shpifjes;
(7) nëse shpifja përmban interes publik të bërë në vend të vërtetës së saj.
Gjykata Supreme theksoi se lista nuk është detyruese, por mund të shërbejë si udhëzim.Gjykatat ishin të lira të merrnin në konsideratë faktorë të tjerë. Për më tepër, faktorët e listuar nuk duhet të kenë të gjithë të njëjtën peshë. Ka një numër vendimesh nga gjykatat evropiane Kushtetuese dhe Supreme për administrimin e gazetarëve. Për shembull, Gjykata Kushtetuese e Austrisë u shpreh se fakti i ndëshkimit të një gazetari për shkak se refuzoi të largohej nga një demonstrim publik nuk ishte në kundërshtim me të drejtat e gazetarëve (shih VGH, vendimi i datës 20 shtator 2012). I njëjti arsyetim gjendet në një vendim të dhënë nga Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë në vitin 2014: Gjykata u shpreh se largimi i gazetarëve nga një sesion parlamentar nuk ka shkelur të drejtat e tyre. Përsëri, në një vendim të vitit 2004 Gjykata e Lartë Suedeze vendosi se fakti i të qenit gazetar nuk mund të bëhet pengesë që një person të dënohet për sjellje të paligjshme, në momentin që është duke mbuluar një demonstratë në një zonë bërthamore me akses të kufizuar. Unë pajtohem plotësisht me konkluzionin e shumicës se duhet bërë një dallim midis rastit në fjalë dhe Stoll k. Zvicrës ([GC], nr. 69698/01, GJEDNJ 2007- V). Edhe në qoftë se të dy rastet përfshijnë konceptin e rendit publik, publikimi i dokumenteve sekrete në rastin Stoll nuk ka të bëjë me moszbatim e një urdhri gjatë një demonstrate, i cili është thelbësor për çështjen në fjalë. Rasti i Stoll ka të bëjë më një botim, jo me sjelljen publike. Një tjetër pyetje e madhe që mbetet për t’u trajtuar në këtë rast, si në të gjitha ato që përfshijnë të drejtat e përcaktuara në nenet 8 dhe 11 të Konventës, është proporcionaliteti. Zbatimi i parimit të proporcionalitetit ka sjellë shumicën e debateve në lidhje me jurisprudencën e Gjykatës. Fillimisht, është pohuar se Gjykata shpesh ka zbatuar parimin e “prioritet të të drejtave”, për faktin se është detyrë e Qeverisë të provojë proporcionalitetin e ndërhyrjes së kundërshtuar. Disa shembuj janë përcaktuar nga baza e ndërhyrjes në të drejtën Konventës: ndërhyrja duhet të jetë “e përshtatshme dhe e mjaftueshme” (shih, midis autoriteteve të tjera, Nikula k Finlandës, nr. 31611/96, GJEDNJ 2002-II..). Nevoja për një kufizim duhet të “krijohet bindshëm” (shih SociétéColasEst dhe të tjerë k. Francës, nr. 37971/97, GJEDNJ 2002-III), ose duhet të justifikohet me “arsye bindëse dhe të detyrueshme” (shih RefahPartisi (Partia e Mirëqënies) dhe të tjerë k. Turqisë [GC], nr. 41340/98, 41342/98, 41343/98 dhe 41344/98, GJEDNJ 2003- II), ndërhyrja duhet të justifikohet me një “nevojë thelbësore sociale” (shih Observer dhe Guardian k. Mbretërisë së Bashkuar, 26 nëntor 1991 Seria A, nr. 216), dhe politikat publike duhet të ndiqen “në mënyrë më pak të vështirë për sa i përket të drejtave të njeriut” (shih Hatton dhe të tjerët k. Mbretërisë së Bashkuar, nr. 36022/97 , 2 tetor 2001). Megjithatë, është krijuar konfuzionnga vendimet e tjera të cilat kanë zgjedhur një “ekuilibër të drejtë” midis të drejtave të Konventës dhe “interesit të përgjithshëm të komunitetit”, pa dhënë ndonjë arsye të veçantë (shih S. Greer, “Interpretimi i Konventës Evropiane mbi të Drejtat e Njeriut: Parimi Universal apo diferenca e vlerësimit “, Shqyrtimi i të Drejtave të Njeriut 3/2010). Edhe pse pohohet gjerësisht se Gjykata përdor strukturën triadike për të vlerësuar proporcionalitetin, shpesh në një mënyrë tepër të errët janë propozuar kuotime të tjera për çështjen e proporcionalitetit në aspektin e vlerave morale, duke u bazuar në qëndrimin e miratuar nga Jeremy Waldron, i cili vë në dukje mungesën e një sistemi të përbashkët për të “balancuar të pamatshmen, por lejon të merren në konsideratë vlerat përkatëse (shih JeremyWaldron, “Mungesa false e matjes së drejtësisë: një përgjigje ndaj Profesor Schauer I”, 45 Hastings LJ 813, 817 (1994), dhe S. Tsakirakis “Proporcionaliteti: Një sulm ndaj të drejtave të njeriut?”, ICON 2009). Vlerësoj se ky gjykim kombinon në mënyrë absolute të dy qëndrimet, siç bëjnë shumë prej vendimeve të Gjykatës. Ai analizon objektivat, qëllimet dhe pyetjen nëse masat ndihmojnë në ndjekjen e këtyre qëllimeve, dhe në të njëjtën kohë vë theksin mbi çështjen e vlerave morale konkurruese. Në fund të fundit, kjo lë hapësirë të mjaftueshme për kufirin e vlerësimit të shtetit.

OPINIONI KUNDËRSHTUES I GJYQTARIT SPANO,SË BASHKU ME GJYQTARËT SPIELMANN, LEMMENS DHE DEDOV
I.
1. Një ndërhyrje në bazë të nenit 10 të Konventës, në rolin themelor të shtypit, dhënien e informacionit për publikun në një shoqëri demokratike mund të zhvillohet në disa faza. Shteti Kontraktues ka për detyrë të provojë se është e pranishme një nevojë e ngutshme sociale që justifikon ndërhyrjen në të gjitha fazat, në të cilat shtypi është penguar në përmbushjen e rolit të tij të rëndësishëm në bazë të Konventës, si “mbikëqyrës” i publikut.
2. Në rastin konkret, unë e pranoj faktin se policia e justifikoi ndalimin e kërkuesit në fund të demonstratës, sepse, më e rëndësishmja, ai nuk mori masat e nevojshme për të shfaqur në mënyrë të dukshme kartën e tij të gazetarit dhe të mbante veshje dalluese. Megjithatë, pasi policia u informua se kërkuesi ishte gazetar, nevoja sociale që ka justifikuar ndërhyrjen e vazhdueshme në lidhje me të drejtat e nenit 10, gradualisht është bërë më pak e rëndësishme dhe përfundimisht pushoi së ekzistuari, ashtu siç është e pakundërshtueshme se kërkuesi nuk ka marrë pjesë vetë ndonjëherë në demonstrata, ose se paraqiste një rrezik të qartë e konkret për rendin publik, nëpërmjet sjelljeve armiqësore e të dhunshme nga ana e tij. Roli i tij si gazetar ishte thjesht, ai i një vëzhguesi të paanshëm në emër të publikut të gjerë, i cili do të ndiqte një ngjarje shumë të rëndësishme shoqërore në Finlandë.
3. Unë theksoj se nuk kundërshtoj përfundimet e shumicës në lidhje me ligjshmërinë e ndërhyrjeve, ose qëllimin legjitim të ndjekur. Megjithatë, siç do ta shpjegoj me detaje më poshtë, Qeveria, si shtet i paditur, në dritën e vlerësimit “të ngushtë” nuk ka vërtetuar që arrestimi i kërkuesit prej shtatëmbëdhjetë orë e gjysmë, gjatë të cilave pajisjet e tij profesionale u konfiskuan, duke penguar atë të raportonte ngjarjet e rëndësishme shoqërore të ditës dhe dënimi i tij penal ishin të nevojshme dhe proporcionale në bazë të nenit 10 § 2 të Konventës. Prandaj, unë me respekt nuk pajtohem me konstatimin e Gjykatës se në çështjen në fjalë nuk ka pasur shkelje të Nenit 10.
II.
4. Roli i rëndësishëm i shtypit në ruajtjen dhe funksionimin e duhur të një shoqërie demokratike, është një aksiomë e qëndrueshme dhe e rëndësishme në jurisprudencën e Gjykatës në lidhje me nenin 10. Sigurisht, sikurse Gjykata u shpreh në vendimin e saj Stoll kundër Zvicrës (. [GC], nr. 69698/01, § 102, GJEDNJ 2007 V), gjykuar në Dhomën e Madhe: “të gjithë personat, të cilët gëzojnë lirinë e shprehjes, përfshirë gazetarët, marrin përsipër “detyra dhe përgjegjësi”, fushëveprimi i të cilave varet nga gjendja e tyre dhe mjetet teknike që ata përdorin… Pra, pavarësisht rolit vital që luan shtypi në një shoqëri demokratike, në parim, gazetarët për shkak të detyrës nuk mund të mos u binden ligjit të zakonshëm penal, i cili u garanton atyre mbrojtje në bazë të Nenit 10. Për më tepër, paragrafi 2 i Nenit 10 nuk garanton një liri të plotë e të pakufizuar të shprehjes, edhe në lidhje me mbulimin e çështjeve me interes serioz publik nga shtypi… ”
5. Megjithatë, siç Gjykata ka shprehur në Stoll, edhe pse mund të jetë e pakundërshtueshme se një gazetar ka shkelur ligjin penal, për shembull, si në Stoll, duke botuar informacion sekret, fakti i thjeshtë që një gazetar ka vepruar në kundërshtim me një dispozitë penale, nuk duhet të konsiderohet si argumenti i vetëm në drejtim të vlerësimit të domosdoshmërisë dhe proporcionalitetit, pasi ai duhet të kryhet në bazë të nenit 10 § 2 të Konventës. Në të kundërt, Shtetet Kontraktuese do të ishin të lira t’i jepnin gazetarëve sanksioneve penale, sa herë që ata do të ishin afër zbulimit të aktiviteteve që hedhin“dritë të pafavorshme” për personat që janë në pushtet, dhe në këtë mënyrë do të prishej rolin jetik i shtypit në funksionimin e një shoqërie demokratike.
6. Shumica pranon se “një gazetar nuk mund të pretendojë imunitet të posaçëm nga përgjegjësia penale për të vetmen arsye se vepra në fjalë është kryer gjatë kryerjes së funksioneve të tij ose të saj si gazetar” (shih paragrafin 91 të vendimit). Megjithatë, vlerësimi nëse ka pasur një nevojë të ngutshme sociale për të ndërhyrë në të drejtën e një gazetari në bazë të nenit 10 është materialisht i ndryshëm nga rastet kur individët e tjerë ushtrojnë të drejtën e lirisë së shprehjes. Për këtë arsye në Stoll, Gjykata e vlerësoi të nevojshme të shqyrtojë nëse dënimi i gazetarit, për zbulimin e informacionit sekret në shkelje të ligjit penal, ishte i nevojshëm, dhe në këtë drejtim ka miratuar kriteret e mëposhtme: interesat në rrezik shkelje, shqyrtimi i masës nga gjykatat e brendshme, sjellja e kërkuesit dhe nëse dënimi i dhënë ishte proporcional (shih Stoll, cituar më lart, § 112).
7. Shumica, në çështjen në fjalë, në analizën e nevojës së ndërhyrjes në lirinë e shprehjes së kërkuesit nuk ka aplikuar kriteret Stoll dhe ajo që është më e rëndësishme, nuk ka arritur të vlerësojë në mënyrë kumulative masat e kundërshtuara, të cilat ndërhyjnë në të drejtën e kërkuesit sipas nenit 10. Përkundrazi, ata vazhduan të shqyrtonin ndalimin, paraburgimin dhe dënimin e kërkuesit, për të përcaktuar nëse ndërhyrja e kundërshtuar, duke u konsideruar si një e tërë, u mbështet nga arsye të përshtatshme, të mjaftueshme dhe ishte proporcionale me qëllimin legjitim të ndjekur (shih paragrafin 94 e gjykimit). Sipas mendimit tim, ky trajtim është i gabuar. Edhe pse faktet e çështjes konsistojnë në sjelljen kriminale të një gazetari gjatë një demonstrate publike dhe jo në zbulimin e informacionit konfidencial, për vlerësimin e këtij rasti janë të zbatueshme të njëjtat kritere si ato të zhvilluara në Stoll në lidhje me nenin 10 § 2, megjithëse, sigurisht duhet të përshtateshin në bazë të fakteve të çështjes konkrete. Duke e ndarë vlerësimin e domosdoshmërisë në vlerësim të pavarur të masave të ndryshme, që shihen në mënyrë të veçuara nga njëra-tjetra, Gjykata, në këtë rast nuk i kërkoi Qeverisë t’i përgjigjej dy pyetjeve më të rëndësishme. Së pari, pse u konsiderua e nevojshme të vazhdojë ndërhyrja në të drejtën e kërkuesit për lirinë e shprehjes, kur u bë e qartë, menjëherë pas arrestimit të tij, se ishte gazetar, dhe duke pasur parasysh se nuk pati asnjë pretendim se ai përbënte kërcënim publik për shkak të sjelljes së dhunshme, apo marrjes pjesë aktivisht në demonstratë? Së dyti, çfarë nevoje të ngutshme sociale justifikonte ndalimi i kërkuesit për shtatëmbëdhjetë orë e gjysmë dhe marrja e pajisjeve të tij profesionale, duke e privuar atë nga mundësia e raportimit të ngjarjes në fjalë, dhe më pas ndjekja penale e dënimi i tij, për një akt që u konsiderua nga gjykatat e brendshme si “i justifikueshëm” në bazë të ligjit
finlandez, për shkak të statusit të tij gazetaresk? Nëse shumica do të kishte aplikuar kriteret Stoll në faktet e çështjes në fjalë, përgjigjet e këtyre pyetjeve do të kishin treguar se disa përfundime të gjykimit të sotëm nuk janë të arsyeshme, sikurse unë do të shpjegoj tani.
III.
8. Duke u kthyer në kriterin e parë të Stoll, interesat në rrezik shkelje, është e pakundërshtueshme se demonstrata Smash ASEM ishte një ngjarje me interes të madh të përgjithshëm në shoqërinë finlandeze, si dhe ndërkombëtarisht, siç është evidentuar nga ekspozimi i gjerë mediatik (shih paragrafin 33 i vendimit). Nuk mund të thuhet se mënyra në të cilën policia trajtoi situatën justifikonte shqyrtimin e “bezdisshëm” ndaj gazetarëve. Është e rëndësishme të theksohet, se kërkuesi ishte arrestuar kur policia po merrej me protestuesit e fundit të mbetur brenda zonës së rrethuar, pasi ishte lëshuar urdhri për shpërndarje. Ishte pikërisht në atë moment që u bë e rëndësishme për qëllimet e nenit 10 të Konventës, që shtypi të ishte në gjendje të vëzhgonte zgjedhjet operative të bëra nga policia në arrestimin dhe shpërndarjen e pjesëmarrësve të mbetur, në mënyrë që të sigurohej transparenca dhe llogaridhënia. Unë, këtu do t’i referohem Udhëzimeve të Komisionit të Venecias për Lirinë e Asamblesë, i miratuar në vitin 2010 (shih paragrafin 55 të vendimit), i cili parashikon se (në §§ 168 dhe 169) palëve të treta (si monitoruesit, gazetarët dhe fotografët) mund t’u kërkohet të shpërndahen, “por ata nuk duhet të ndalohen të vëzhgojnë dhe regjistrojnë operacionin policor”. Gjithashtu, nuk duhet të pengohet fotografimi, ose video regjistrimi i operacionit policor nga pjesëmarrësit dhe palët e tjera të treta, si dhe çdo kërkesë për të dorëzuar filmimin, pamjet, apo imazhet e regjistruara në mënyrë dixhitale, në agjencitë e zbatimit të ligjit duhet të jenë subjekt i shqyrtimit paraprak gjyqësor”.
9. Është e padiskutueshme se kërkuesi, në bazë të lirisë së tij ishte i justifikuar t’i jepte informacion publikut, në rastet e ndërmarrjes së një kërkimi dhe qasje “agresive” në punën e tij si gazetar, madje ishte i justifikuar edhe në pyetjen nëse të drejtat e tij sipas nenit 10 mbizotërojnë ndaj detyrës dhe nëse duhet të ndiqte urdhrat e policisë drejtuar demonstruesve. Në fakt, pikërisht kjo ishte pikëpamja e miratuar nga Gjykata e Qarkut të Helsinkit, kur arriti në përfundimin se akti i kërkuesit ishte “i justifikueshëm” sipas kapitullit 6, neni 12 § 3, i Kodit Penal. Gjykata e Qarkut në mënyrë korrekte ka pohuar (shih paragrafin 37 të aktgjykimit) se, si gazetar, kërkuesi u “detyrua të përshtaste sjelljen e tij për shkak të pritshmërisë që policia kishte për sjellje konfliktuale, nga njëra anë, dhe me profesionin e tij dhe punëdhënësin, në anën tjetër”. Kështu, interesat në fjalë ishin të tilla që kërkuesit, si gazetar, duhet t’i ishte dhënë gjerësi e mjaftueshme nga ana e policisë për të ndjekur veprimtarinë e tij gazetareske, duke pasur parasysh nenin 10 të Konventës. Ajo vijon se zbatimi i kriterit të parë Stoll, duke pasur parasysh në mënyrën e duhur jo vetëm të drejtat e
vetë kërkuesit, por edhe interesa të rëndësishme shoqërore të cilat ishin gjithashtu në rrezik, marzhi i vlerësimit të dhënë shtetit të paditur është shumë i kufizuar. Vetëm sipas kësaj baze, është tashmë e paqartë nëse kishte një nevojë sociale të ngutshme që justifikonte ndërhyrjet në të drejtat e kërkuesit të parashikuara nga Konventa, duke pasur parasysh se ato përfshijnë jo vetëm arrestimin e tij fillestar, por edhe paraburgimin, konfiskimin e pajisjeve të tij profesionale, ndjekjen penale dhe në përfundim dënimin e tij penal për mosbindje ndaj policisë.
10. Për sa i përket kriterit të dytë të Stoll, rishikimi i masës nga ana e gjykatave të brendshme, roli i Gjykatës sipas nenit 10 të Konventës është i kufizuar vetëm për të vlerësuar nëse arsyet ku ishin mbështetur autoritetet vendase ishin të përshtatshme dhe të mjaftueshme. Sikurse theksova që në fillim, në këtë rast, roli i gjykatave të brendshme ishte i kufizuar vetëm në vlerësimin nëse kriteret që dënonin kërkuesin për mosbindje ndaj policisë, ishin përmbushur sipas kapitullit 16, neni 4 (1), i Kodit Penal të Finlandës. Në vendimin e Gjykatës së Rrethit të Helsinkit (shih paragrafin 37 të vendimit në rastin në fjalë), nuk është kryer asnjë shqyrtim për të përcaktuar nëse ka pasur një nevojë shoqërore detyruese për të dënuar kërkuesin, duke marrë parasysh të gjitha masat të cilave ai i ishte nënshtruar. Nuk u bë asnjë analizë mbi domosdoshmërinë e ndalimit të tij, apo sekuestrimit të pajisjeve të punës gazetareske. Për më tepër, nuk pajtohem me shumicën se arsyetimi i Gjykatës së Qarkut të Helsinkit tregon se ajo ruajti një ekuilibër të drejtë midis interesave
kontradiktore në rrezik, siç kërkohet nga praktika gjyqësore e Gjykatës. Gjykata e Qarkutdha një vlerësim shumë lakonik mbi domosdoshmërinë për të dënuar kërkuesin, duke konkluduar se thjesht “ishte e nevojshme për ndalimin e situatës në Kiasma, duke urdhëruar të shpërndaheshin dhe duke i kërkuar personave të largoheshin nga zona”. Vetëm sipas kësaj baze, Gjykata e Qarkut arriti në përfundimin se “janë përmbushur kushtet për kufizimin e lirisë së shprehjes së z. Pentikäinen, duke e urdhëruar atë të shpërndahej së bashku me turmën e mbetur”. Arsyetimi i mëvonshëm i Gjykatës së Rrethit, që bënte dallimin e rastit të kërkuesit nga ai Dammann k. Zvicrës (nr. 77551/01, 25 prill 2006), është përmbledhur në një fjali të vetme, në të cilën ajo shpalli se “rasti i cituar nuk është i ngjashëm me atë në gjykim”.  Këto janë deklarata abstrakte të përgjithshme, dhe nuk arsyetojnë mënyrën në të cilën është kryer balancimi i interesave. Për më tepër, në gjysmën e dytë të gjykimit të saj, Gjykata e Qarkut arriti në përfundimin, siç e përmenda më lart, se ky akt i kërkuesit ishte “i justifikueshëm” sipas kapitullit 6, të nenit 12 § 3, të Kodit Penal. Në këtë kuptim, vendimi i Gjykatës së Rrethit është plotësisht në kundërshtim me qëllimet e vlerësimit të nevojës të kërkuar në nenet 10 § 2 të Konventës: nga njëra anë, ishte e nevojshme të ndalohej kërkuesi për mosbindje ndaj policisë, por, nga ana tjetër, veprimi i tij ishte i falshëm! Duket qartë se arsyetimi i Gjykatës së Rrethit të Helsinkit, edhe pse ndoshta i nevojshëm, nuk mund të konsiderohet i mjaftueshëm në bazë të nenit 10 § 2 të Konventës.
11. Duke u kthyer në kriterin e tretë të Stoll, sjellja e gazetarit, është me rëndësi sjellja në vëmendjen e fakteve përkatëse të rastit. Së pari, është e pakundërshtueshme se kërkuesi nuk mori pjesë drejtpërdrejt ose aktivisht në demonstratë. Ai u ndalua për mosbindje të urdhrave të policisë për shpërndarje, jo për shkaktim rrëmuje apo sjellje të tjera të dhunshme, kur policia po merrej me pjesëmarrësit e fundit të mbetur në zonën e rrethuar. Së dyti, sikurse shumica ka arritur në përfundimin (shih paragrafin 98 të vendimit), kërkuesi, para arrestimit nuk ka qenë lehtësisht i identifikueshëm se ishte gazetar. Së treti, nga hetimeve paraprake nuk del në pah, ajo që Gjykata pranon në vendimin e saj (shih paragrafin 99), se kërkuesi u identifikua vetë tek zyrtari që e arrestoi. Kur oficeri i policisë kërkoi të identifikohej, kërkuesi paraqiti kartën e tij si gazetar.
12. Siç e përmenda në fillim, unë pranoj se në arrestimin e kërkuesit në fund të demonstratës, policia ishte e justifikuar, pasi ai nuk kishte shfaqur në mënyrë të dukshme kartën e tij si gazetar dhe ishte i veshur me rroba që nuk e dallonin nga protestuesit e tjerë. Megjithatë, detyra e Qeverisë që të vërtetonte ekzistencën e një nevoje shoqërore imperative për të ndërhyrë në të drejtën e kërkuesit të garantuar në nenin 10 nuk ndalet këtu, pasi ky i fundit më pas i është nënshtruar masave të tjera kufizuese, edhe pse policia ishte në dijeni se ai ishte gazetar, e konfirmuar kjo nga dëshmia e zyrtarit që e arrestoi atë. Në këtë kontekst bëhet vendimtar karakterizimi korrekt i sjelljes së kërkuesit gjatë demonstratës. Në këtë drejtim vlen të përmendet se shumica kishte në dispozicion një numër të rëndësishëm faktesh në lidhje me ngjarjet, si sjelljen e kërkuesit dhe gjendjen e tij mendore në disfavor të tij, edhe pse shpjegime të tjera për justifikimin e veprimeve të kërkuesit janë po aq të arsyeshme (shih, për shembull, paragrafët 100, 101, 103 dhe 107 të vendimit). Unë theksoj, se është e qartë se në qoftë se një gazetar shkel drejtpërsëdrejti dhe në mënyrë aktive ligjin penal, duke marrë pjesë në një demonstratë armiqësore apo të dhunshme, në parim, Neni 10 nuk mund t’i sigurojë një strehë të sigurt nga masa të tilla, si paraburgimi dhe ndjekja e mundshme penale. Megjithatë, në mënyrë të qartë ky nuk është rasti konkret. Kërkuesi ka bërë një telefonatë në mes të një situate të tensionuar dhe në zhvillim e sipër, lidhur me faktin se liria e tij për të dhënë informacion për publikun duhet të prevalojë ndaj detyrës për të respektuar rendin publik. Kështu, Gjykata e Rrethit tëHelsinkit karakterizoi saktë si të justifikueshëm aktin e kërkuesit. Është e vërtetë, sikurse nënvizon shumica, se një gazetar duhet të jetë patjetër i vetëdijshëm për faktin se ai ose ajo merr përsipër rrezikun e të qenit subjekt i sanksioneve ligjore, duke mos iu bindur policisë (shih paragrafin 110). Megjithatë, shumica nuk merr në konsideratë rëndësinë vendimtare të faktit, se në të njëjtën kohë, një gazetar mund të arsyetojë se veprimet e tij janë të mbrojtura në bazë të lirisë së shprehjes. Prandaj, në dritën e sjelljes së kërkuesit, qeveria nuk ka vërtetuar se, pasi policia u informua për statusin e tij dhe ai i tregoi kartën si gazetar, ka pasur përsëri një nevojë të ngutshme sociale, e cila justifikonte ndalimin e tij për një periudhë prej shtatëmbëdhjetë orësh e gjysmë, duke i marrë pajisjet gazetareske, apo ndjekjen penale dhe dënimin e tij për mosbindje ndaj policisë. Së fundi, për sa i përket kriterit të katërt të Stoll, nëse dënimi i dhënë ishte proporcional, shumica i kufizoi përfundimet e saj në pohimin se dënimi i “kërkuesit kishte të bënte me konstatimin formal të veprës së kryer prej tij dhe, si i tillë vështirë se mund të krijonte një “efekt frikësues” … për punën e gazetarëve në përgjithësi “(shih paragrafin 113). Me gjithë respektin, ajo që vendimi sugjeron se ndjekja penalisht dhe dënimi i një gazetari për një vepër penale nuk ka, në vetvete një “efekt frikësues” mbi aktivitetin gazetaresk është tepër naive dhe jo bindëse. Në të kundërtën, sipas mendimit tim nuk është e paarsyeshme që vendimi i sotëm, i cili njeh si të lejueshme në bazë të nenit 10 § 2 të Konventës, ndjekjen penale të një gazetari dhe dënimin e tij për një vepër penale, do të ketë efekt të madh parandalues në aktivitetin gazetaresk, në situata të ngjashme që ndodhin rregullisht në të gjithë Evropën.
13. Për të përmbledhur, duke aplikuar kriteret Stoll për shqyrtimin nëse akti i kërkuesit, edhe pse sipas ligjit të brendshëm penal justifikonte ndërhyrjet e vazhdueshme në të
drejtën e tij të lirisë së shprehjes, të garantuar nga neni 10 § 2 i Konventës, unë arrij në përfundimin se qeveria nuk ka vërtetuar se për këtë qëllim ekzistonte një nevojë e ngutshme sociale në momentin që policia u vu në dijeni se kërkuesi kishte statusin e gazetarit. Nënvizoj se nuk është aspak bindëse që shumica përpiqet të kufizojë përfundimet e saj vetëm për “rrethana të veçanta të rastit në fjalë” (shih paragrafin 114 të vendimit). Në të kundërt, është mjaft e qartë, se për fat të keq, arsyetimi i shumicës do t’u japë Shteteve Kontraktuese një liri të konsiderueshme në vendosjen e masave ndërhyrëse të aktivitetit gazetaresk në mjedise publike, në rastet kur përdoret forca nga zyrtarët e zbatimit të ligjit.
IV.
14. Gjykimi i sotëm i Dhomës së Madhe është një mundësi e humbur për Gjykatën për të përforcuar, në përputhje me jurisprudencën e saj të vazhdueshme, natyrën e veçantë dhe rëndësinë e shtypit në sigurimin e transparencës dhe llogaridhënies gjatë ushtrimit të pushtetit qeveritar, duke mbështetur të drejtat e gazetarëve për të vëzhguar në mënyrë efektive dhe të papenguar demonstratat publike, apo aktivitete të tjera të mbuluara nga neni 11, për aq kohë sa ata nuk marrin pjesë drejtpërdrejt dhe në mënyrë aktive në veprimet të dhunshme. Ngjarjet e fundit në shumë vende të Evropës tregojnë më shumë se kurrë, domosdoshmërinë e ruajtjes së rolit themelor të shtypit në marrjen dhe shpërndarjen e informacionit publik në të gjitha aspektet e veprimtarisë së qeverisë. Në fund të fundit, ky është një nga elementet thelbësorë të idealit demokratik të mbrojtur nga Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut.

 

No Comments

Post A Comment