MCA-PRESS | GJEDNJ, Sharxhi dhe të tjerë kundër Shqipërisë (Pronësi)
1617
post-template-default,single,single-post,postid-1617,single-format-standard,ajax_fade,page_not_loaded,,qode-title-hidden,qode_grid_1300,hide_top_bar_on_mobile_header,qode-content-sidebar-responsive,qode-theme-ver-16.6,qode-theme-bridge,disabled_footer_bottom,wpb-js-composer js-comp-ver-5.5.1,vc_responsive,elementor-default,elementor-kit-2266

GJEDNJ, Sharxhi dhe të tjerë kundër Shqipërisë (Pronësi)

Sharxhi dhe të tjerë kundër Shqipërisë – 10613/16, Vendim themeli 11.1.2018

(Seksioni I)

Faktet – Kërkuesit ishin pronarë të apartamenteve dhe dyqaneve në një prone rezidenciale dhe shërbimesh. Më 3 nëntor 2013, pa njoftim paraprak, punonjësit e Inspektoratit Kombëtar të Ndërtimit dhe Urbanistikës, të mbështetur nga policia, e rrethuan rezidencën, e kufizuan atë me një shirit të verdhë të policies dhe i penguan banorët të hynin në apartamentet e tyre. Kërkuesit bënë ankim në Gjykatën e Rrethit, e cila më 7 nëntor 2013 nxori një urdhër të përkohshëm për të penguar prishjen. Më 27 nëntor 2013, Këshilli i Ministrave nxori një  vendim i cili urdhëronte shpronësimin e rezidencës për interes publik dhe u dha kompensim banorëve. Rezidenca u prish ndërmjet datave 4 dhe 8 dhjetor 2013. Gjykimi në lidhje me nivelin kompensimit u pezullua në janar të vitit 2015 nga Gjykata e Lartë.

Para Gjykatës Europiane kërkuesit u ankuan që, si rezultat i mosrespektimit nga autoritetet i një mase mbrojtëse të gjykatës administrative, ka patur një shkelje të Nenit 6, par 1. Ata u ankuan gjithashtu në bazë të Nenit 1 të Protokollit 1 për ndërhyrje në gëzimin paqësor të sendeve në zotërim të tyre dhe në bazë të nenit 13 të Konventës për shkak të mungesës së mjeteve efektive mbrojtëse të brendshme.

Ligji – Neni 6, par 1, i Konventës: Ekzekutimi i një vendimi të dhënë nga një gjykatë – duke përfshirë një vendim të dhënë në gjykimin për masë mbrojtëse – duhej të merrej parasysh si pjesë integrale e ‘gjykimit’ për qëllimet e Nenit 6. E drejta e aksesit në gjykatë e garantuar në pajtim me këtë Nen do ishte iluzor nëse sistemi ligjor i një Shteti Kontraktues do të lejonte një vendim gjyqësor detyrues dhe përfundimtar ose një urdhër të përkohshëm të nxjerrë në pritje të një vendimi përfundimtar të mbetej i pazbatuar në dëm të një pale. Ky parim ishte e një rëndësie më të madhe në kontekstin e gjykimit administrativ në lidhje me një mosmarrëveshje rezultati i së cilës ishte vendimtare për të drejtat civile të një pale.

Nuk ishte fjala nëse Neni 6, paragrafi 1, zbatohej për gjykimet për masën e përkohshme. Urdhri i përkohshëm, drejtuar çdo organi publik, ishte lëshuar me synim pengimin e një prishjeje të mundshme të ndërtesës së kërkuesve dhe duhej të lihej në fuqi derisa të ishte marrë një vendim mbi themelin e çështjes. Para se gjykatat e brendshme të mund të vendosnin mbi themelin e çështjes, Këshilli i Ministrave vendosi që rezidenca duhej të shpronësohej në interes publik dhe ndërtesa ishte prishur. Kështu, ekzekutimi i urdhrit të përkohshëm dhe rezultati i gjykimit në themel ishte bërë i tepërt. Gjykatat e brendshme në të gjitha nivelet konstatuan që autoritetet shqiptare nuk e kishin respektuar urdhrin e përkohshëm. Autoritetet e brendshme nuk kishin respektuar në praktikë një urdhër të përkohshëm duke i hequr kështu çdo efekt të dobishëm

Nenit 6, par 1.

Përfundim: shkelje (njëzëri)

Neni 13 në lidhje me Nenin 6, par 1, i Konventës: Kërkuesit u ankuan që autoritetet nuk e kishin respektuar masën e përkohshme, kështu që për ta ishte e pamundur të kërkonin që themeli i çështjes të shqyrtohej si duhej. Parimi i shtetit të së drejtës, që Shtetet Anëtare kanë marrë përsipër të respektojnë kur ata ratifikuan Konventën, përfshinte detyrimin për të garantuar që autoritetet kompetente të zbatonin garancitë gjyqësore nëse ato jepeshin. Në momentin përkatës në Shqipëri nuk kishte mjet efektiv mbrojtës në lidhje me mosekzekutimin e vendimeve përfundimtare dhe kohëzgjatjen e gjykimeve. Përveç një konstatimi deklarativ për shkelje në rastet e mosekzekutimit të vendimeve gjyqësore përfundimtare, Gjykata Kushtetuese nuk ishte në gjendje të ofronte ndonjë mjet tjetër për ndreqjen e situatës. Në këto rrethana, nuk ka patur mjete efektive mbrojtës në dispozicion të kërkuesve në lidhje me mosekzekutimin e urdhrit mbrojtës.

Përfundim: shkelje (njëzëri)

Neni 1 i Protokollit Nr 1: (sekuestrimi i ndërtesës): Kërkuesve u ishte mohuar aksesi tek pronat e tyre për një periudhë prej një muaji dhe në këtë mënyrë ata kishin humbur tërësisht kontrollin mbi pronat e tyre dhe mundësinë për ti përdorur dhe gëzuar ato. Mohimi i vazhdueshëm i aksesit me qëllim prishjen e rezidencës përbënte një ndërhyrje në gëzimin paqësor të sendeve në zotërim të tyre, ku një ndërhyrje e tillë nuk ishte e ligjshme sipas ligjit të brendshëm, pasi autoritetet kishin injoruar një masë të përkohshme të lëshuar nga gjykatat e brendshme.

Përfundim: shkelje (njëzëri)

Neni 13 i Konventës i marrë së bashku me Nenin 1 të Protokollit Nr 1: (sekuestrimi i ndërtesës): Kërkuesve nuk u ishte dhënë ndonjë kompensim nga gjykatat e brendshme në lidhje me sekuestrimin e ndërtesës. Kështu ata nuk kishin asnjë mjet efektiv në dispozicion të tyre për qëllimet e Nenit 13 të Konventës.

Përfundim: shkelje (njëzëri)

Neni 1 i Protokollit Nr 1: (sekuestrimi dhe prishja e pronës): Prishja e ndërtesës i kishte privuar kërkuesit nga çdo mundësi në të ardhmen për gëzimin e pronës së tyre. Në këto rrethana, ka patur një ndërhyrje në të drejtat e tyre të pronës në formën e ‘privimit’ brenda kuptimit të fjalisë së dytë të paragrafit të pare të Nenit 1 të Protokollit nr. 1. Shqetësime të ligjshme kanë lindur në lidhje me përshtatshmërinë e një procedure nëpërmjet të cilës autoritetet mund të vendosnin, në një kohë kaq të shkurtër, të shpronësonin pronën e kërkuesve në  interesin publik dhe të vazhdonin menjëherë me prishjen. Në vendimet e tyre, gjykatat vendase kishin nxjerrë përfundimin që mosrespektimi i autoriteteve të urdhrit të përkohshëm dhe prishja e rezidencës ka qenë e paligjshme. E gjithë procedura e shpronësimit të kërkuesve ishte kryer me nxitim dhe ishte haptazi në mospërputhje me ligjin e brendshëm.

Përfundim: shkelje (njëzëri)

Neni 13 i Konventës i marrë së bashku me Nenin 1 të Protokollit Nr 1: (shpronësimi dhe prishja e pronës): Çështja në lidhje me nivelin e kompensimin kishte mbetur para Gjykatës së Lartë qysh në vitin 2014. Në janar të vitit 2015, Gjykata e Lartë e pezulloi gjykimin pa dhënë asnjë arsye. Kërkuesit nuk ishin kompensuar akoma. Një vonesë prej katër vjetësh në pagesën e kompensimit për kërkuesit, që kishin humbur shtëpinë dhe sendet pronësore, nuk mund të konsiderohet efektiv. Kërkuesve në këtë mënyrë u ishte mohuar mjeti efektiv për shkeljen e pretenduar të të drejtave të tyre sipas Nenit 1 të Protokollit nr.1.

Përfundim: shkelje (njëzëri)

Neni 41: 7 800 EUR secili për kërkuesin e parë dhe të dytë dhe 13 000 EUR secili për 17 kërkuesit e tjerë në lidhje me dëmin jo-financiar; 13 098 600 EUR së bashku për të gjithë kërkuesit në lidhje me dëmin e tyre financiar. Gjykata gjithashtu konstatoi shkelje të Nenit 8, në lidhje me të drejtën e kërkuesve të respektimit të banesës në lidhje me sekuestrimin dhe rrethimi  e banesës dhe Nenit 13 së bashku me Nenin 8 në lidhje me mungesën e mjetit të efektshëm në këtë aspekt.

No Comments

Post A Comment