MCA-PRESS | Skandal në Universitetin e Tiranës
1561
post-template-default,single,single-post,postid-1561,single-format-standard,ajax_fade,page_not_loaded,,qode-title-hidden,qode_grid_1300,hide_top_bar_on_mobile_header,qode-content-sidebar-responsive,qode-theme-ver-16.6,qode-theme-bridge,disabled_footer_bottom,wpb-js-composer js-comp-ver-5.5.1,vc_responsive,elementor-default,elementor-kit-2266

Skandal në Universitetin e Tiranës

MCA-PRESS&GIR © (Grupimi i Reporterëve Investigativë) Me mijëra është numri i  studentëve të Universitetit të Tiranës, që nga Tetori i vitit 2018 deri në tetor të vitit 2021 kanë studiuar dhe janë diplomuar në të gjitha nivelet e ofruara nga ky Universitet me programe të paakredituara dhe të palegjitimuara.

Sipas një konfirmimi zyrtar nga Agjensia e Sigurimit te  Cilësisë në Arsimin e Lartë (ASCAL) 146 (njëqind e dyzet e gjashtë) është numri rendor sipas listës bashkëlidhur me kthimin e përgjigjes,  ku citohet se: “Asnjë nga programet e studimit të ofruara nga Universiteti i Tiranës deri në datën 21 tetor 2021 nuk ka kaluar në proces akreditimi. Asnjë nga programet si ato Bachelor po ashtu edhe programet Master të ketij Universiteti për të gjitha fakultetet e këtij Universiteti nuk është i akredituar”.

Sipas një kërkesë të GIR (Grupimi i Reporterëve Investigativë) pjesë e MCA-PRESS në Shqipëri, në datën 21.10.2021 ky grupim i është drejtuar me shkresën zyrtare Nr.38.Prot. Agjensisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë me kërkesën për vënien në dispozicion të informacionit të nëvojshëm lidhur me “Statusin Aktiv ose jo të listuar sipas programeve të studimit, Bachelor dhe Master të të gjitha niveleve që ofrohen nga fakultetet e Universitetit të Tiranës, të shprehura pas periudhës së akreditimit Institucional të UT, dt.27.10.2018 deri në dt.21.10.2021, si dhe për ato programe nëse ka që kanë qenë të akredituara dhe ju ka përfunduar akreditimi sipas afateve ligjore ,për jo më shumë se 6 (gjashtë) vjet sipas përcaktimeve ligjore të Nenit 106 pika 4 e ligjit 80/2015”Për Arsimin e Lartë”

Në një proces transparent të kësaj Agjensie bashkëlidhur me përgjigjen zyrtare  u vu në dispozicion të grupit mediatik edhe lista e plotë e të gjitha programeve Bachelor dhe Master të të gjitha niveleve ,ku në sistem figurojnë Aktiv, por që asnjëri prej tyre nuk është i akredituar për të gjitha fakultetet e ketij Universiteti  dhe degët, në periudhën koresponduese të kërkuar 27 Tetor (Dita e akreditimit Institucional të UT) deri në datën 21 Tetor 2021 dita e protokollimit zyrtar të shkresës. Fakultetet e përfshira në këtë skandal sipas listës në faqen zyrtare të publikuar nga Universiteti i Tiranës janë :

1.Fakulteti i Shkencave të Natyrës

2.Fakulteti i Gjuhëve të Huaja

3.Fakulteti i Drejtësisë

4.Fakulteti i Shkencave Sociale

5.Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë

6.Fakulteti i Ekonomisë

7.Dega Sarandë

8.Dega Kukës

Por a duhet të ishin lëshuar diploma universitare dhe a njihen këto Diploma edhe Ndërkombëtarisht ?

Sipas ligjit Nr.80/2015 “Për arsimin e Lartë…”Neni 6 pika 22 citon” Programi i studimit është një tërësi veprimtarie akademike dhe/ose kërkimore shkencore, përfundimi me sukses i të cilave i jep të drejtën studentit te paiset me certificatë, diplomë ose Gradë shkencore prej institucionit të arsimit të lartë që e ofron atë në varësi të llojit të programit të studimit”

Në nenin 106 pika 5 e ligjit ,citohet” …në rast se institucioni i Arsimit të lartë nuk Akreditohet Institucionlisht apo për Program Studimi, ai nuk mund të lëshoje  diploma për programet përkatëse të studimit”…

Mbi ç’bazë ligjore Universiteti i Tiranës ka lëshuar me mijra tituj e diploma si më lart nëse programet kanë qenë te paakredituara…? 

Ecim më tej :

Sipas Urdhërit nr.126 dt. 17.03.2011 të nxjerrë nga vetë Ministria e Arsimit dhe Shkencës “Për Miratimin e Standarteve  Shtetërore të Cilësisë për Vlerësimin  dhe Akreditimin Institucional  te institucioneve të Arsimit të Lartë” mbi bazen e këtij urdhëri në zbatim të tij ngarkohet vetë Ministra , Këshilli i Akreditimit, Agjensia Publike e Akreditimit të Arsimit të Lartë (APAAL) ndryshuar emërtimi me VKM nr.109 dt 15.02.2017  në ASCAL (Agjensia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë) dhe Institucionet e Arsimit të Lartë.

Sipas ligjit nr.80/2015 “Për Arsimin e Lartë…”ASCAL sipas nenit 14/1 “…monitoron dhe vlerëson cilësinë e institucionit dhe të programeve të ofruara”dhe sipas pikes 8,”…publikon raportet përfundimtare të vlerësimit të institucioneve të arsimit të lartë dhe programeve të studimit” detyrë që ky institucion nuk e ka ushtruar nga viti 2018 e në vazhdim dhe ku në asnjë fletë të raportit të tij vjetor si institucion  dhe si bord Akreditimi, nuk ka përmendur mosakreditimet e programeve të studimit të Universitetit të Tiranës.

Po sipas ligjit nr.80/2015 “Për Arsimin e Lartë…” sipas detyrimeve ligjore te nenit 35, vetë organi që duhet të zbatonte ligjin, Ministria e Arsimit ka qenë inekzistente në procedurat e hapjes, mbylljes dhe riorganizimit të programeve të studimit në institucionet e arsimit të lartë pasi nuk ka ushtruar kompetencat e veta ligjore në kërkesat për miratimet dhe monitorimin e hapjes së programeve të studimit dhe gjithashtu mbi detyrimet ligjore përcaktuar sipas nenit 125 të ligjit nuk ka miratuar dhe nuk ka marrë masa për kodifikimet e programeve të studimit.

Po sipas ligjit nr.80/2015 “Për Arsimin e Lartë…”dhe detyrimeve ligjore përcaktuar në Nenin 70/5 “Institucionet e arsimit të lartë detyrohen të shpallin publikisht programet e hapura dhe ato të akredituara të studimeve, para fillimit të aplikimeve për pranimin e studentëve”. Veprim të cilin në asnjë rast asnjë nga institucionet e arsimit te lartë të  Universietit te Tiranes nuk është zbatuar jo vetëm si detyrim ligjor, por edhe si detyrim moral ndaj studenteve.

Gjithashtu një strukturë tjetër ajo e “Kontrollit të transparencës së Arsimit të Lartë “ pranë Ministrisë së Arsimit e krijuar me VKM nr.781 dt 26.12.2018 me mision “verifikimin e zbatimit te ligjishmërisë së institucioneve të arsimit të lartë …” jo vetem nuk ka funksionuar, por ka qenë inekzistente lidhur me këtë problematikë.

Nuk kanë funksionuar gjithashtu, po sipas ligjit nr.80/2015 “Për Arsimin e Lartë…” neni 116 pikat 1 dhe 2 edhe kontrollet dhe auditimi i brendëshëm i institucioneve të arsimit të lartë si pjesë përbërëse e tyre gjithashtu edhe kontrollet dhe auditimi i jashtëm me të përzgjedhurit nga Ministria e Arsimit që kanë patur detyrimin ligjor për monitorimin dhe shkeljet ligjore të rënda në këtë universitet.

Duke ju rikthyer përsëri tematikës kryesore a janë apo jo të vlefshme diplomat, certifikatat apo gradat shkencore të lëshuara me programe studimi të paakredituara.

Sipas nenit 106 pika 5 e ligjit ,citohet” …në rast se institucioni i Arsimit të lartë nuk Akreditohet Institucionlisht, apo për Program Studimi, ai nuk mund të lëshoje  diploma për programet përkatëse të studimit”… pra jemi përpara faktit se :

Për asnjë student të Universitetit të Tiranës nuk duhej të leshohej sipas ligjit diplomë, certificatë apo gradë shkencore pasi programet e studimit në të gjitha nivelet nuk kanë qenë të akredituara dhe legjitimuara  nga Tetori 2018 deri ne Tetor 2021, sipas kësaj logjike juridike rëndom lind pyetja:

-A ka Ministria e Arsimit ndonjë argument ligjor për mënyrën se si mund të legjitimohen këto tituj të lëshuar në mënyrë të paligjshme…?

-Si mund t’i përgjigjet  Ministria e Arsimit dhe Universiteti i Tiranës bazuar mbi detyrimin ligjor kontraktual juridiko-civil të lidhur me studentin nga momenti i regjistrimit e në vazhdim për dëmin shkaktuar ndaj tyre…?

-Nëse këto tituj sipas ligjit Shqiptar “Për Arsimin e Lartë” nuk duhej të lëshoheshin pasi nuk kanë qenë të njohura dhe të legjitimuara, si mund të njihen ndërkombtarisht…?

Përgjegjësia :

Funksionarët e Ministrisë së Arsimit, audituesit e brendëshëm e të jashtëm të emëruar, ASCAL, Institucionet e Arsimit të lartë janë funksionarët dhe zyrtarët që duhet të përgjigjen për këtë situatë të përmasave të pariparueshme në dëm të masës studentore, që në të gjitha rastet megjithëse ka qenë taksapaguesi më i rregullt i tarifave të vendosura nga ky Universitet, dhe në të gjitha rastet duhej të ishte i mbrojtur ligjërisht nga këta funksionarë shtetërorë dhe zyrtarë ministrorë, te cilët jo vetem nuk i kanë mbrojtur, por kanë shpërdoruar besimin e tyre.

Kodi Penal në :

Neni 248 Shpërdorimi i Detyrës – citon:

“Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve ose mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jomateriale të padrejta a kanë dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbën vepër tjetër penale, dënohet me burgim deri në shtatë vjet”.

Ndoshta ka ardhur koha që SPAK të mos heshtë, por të vlerësojë këtë shpërdorim detyre të paprecedentë nga këta zyrtarë dhe funksionarë të Institucioneve të Arsimit të Lartë.

Shënim : Rastësi ose jo, por pas kërkesës të datës 21 tetor 2021 nga GIR (Grupimi i Reportereve Investigativë) pjesë e MCA-PRESS në datën 26 tetor 2021, Universiteti i Tiranës ka aplikuar për akreditimin e 42 (dyzet e dy) programeve të studimit ,e konfirmuar nga pergjigjja e ASCAL. (Bashkëlidhur shkresa përcjellëse nga ASCAL)

Gjithsesi kjo nuk rregullon atë ç’ka ka ndodhur me skandalin nga tetor 2018 deri në tetor 2021, skandal ky i fokusuar në rastin konkret për Universitetin e Tiranës, por situata është edhe më e rënde se kaq edhe për morinë e universiteteve të tjera si publike ashtu edhe private që janë përafërsisht në këtë gjëndje lidhur me akreditimet e programeve të studimit.

 

 

No Comments

Post A Comment